Maqedoni

Përplasje për BE-në, akuza mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

19.03.2026 15:55

Problemet reale, si rritja e pagave, shtrenjtimi i çmimeve, si dhe perspektiva evropiane, nuk e interesojn Qeverinë, vlerëson kryetari i LSDM-së...

Problemet reale, si rritja e pagave, shtrenjtimi i çmimeve, si dhe perspektiva evropiane, nuk e interesojn Qeverinë, vlerëson kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Ai thotë se në vend që të flitet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Mickoski në Bruksel flet për parashikime globale, për luftën në Iran, në Ukrainë dhe për perspektivën ekonomike në Evropë. Filipçe theksoi se Qeveria nuk po i zbaton reformat dhe ndryshimet kushtetuese dhe po krijon konflikt duke përhapur gënjeshtra për një komplot bullgar.
 
“Në vend që t’i përmbushin reformat dhe ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicave të tjera siç kërkon Evropa, ata krijojnë konflikte të qëllimshme. Sa po na kushton kjo që tani nuk po hapen negociatat me Bashkimin Evropian? A ka llogaritur dikush në Qeveri se sa para do të vijnë këtu kur të hapen fondet e pranimit?”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
Për VMRO-DPMNE-në, qëndrimet e Filipçes janë konfuze, pa argumente dhe pa thelb. Nga partia theksojnë se pikërisht LSDM-ja ishte ajo që për 7 vite premtonte të ardhme evropiane dhe reforma që nuk i realizoi.
 
“Partia që e shkatërroi sistemin e drejtësisë, sot mban leksione për sundimin e ligjit. Partia që e ngeci shtetin, sot flet për ‘izolim’. Në vend të përgjigjeve se pse nuk i realizuan reformat, pse nuk patën rezultate dhe pse e lanë shtetin pa përparim drejt BE-së, LSDM ofron konfuzion dhe teza boshe.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
Ata presin që në një të ardhme të afërt LSDM-ja t’i përkushtohet seriozisht politikës.
 
BELINDA KOKA ADEMI