Botë
Vazhdojnë sulmet në Lindjen e Mesme, shpërthime në Jerusalem dhe Teheran
20.03.2026 11:51
Sulmet në Lindjen e Mesme vazhdojnë....

Sulmet në Lindjen e Mesme vazhdojnë. Shpërthime dëgjohen në Jerusalem dhe Teheran, ndërsa vendet e Gjirit raportojnë për dronë dhe raketa iraniane të interceptuara.
Rafineria e naftës në Kuvajt është sërish nën sulm. Ndërkohë që sulmet hakmarrëse të Teheranit po rrisin çmimet globale të naftës, Izraeli iu përgjigj thirrjes së Trump-it dhe njoftoi se nuk do të godasë më objektet e mëdha energjetike iraniane.
Ndërkohë, presidenti amerikan konfirmoi se po kërkon 200 miliardë dollarë financim të ri nga Pentagoni për ndihmë shtesë për luftën në Iran. Kriza energjetike vazhdon të mbetet një temë kyçe diskutimi, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.
Aleatët evropianë të SHBA-së shprehën gatishmërinë për të kontribuar në sigurimin e lundrimit, duke i bërë thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë kërcënimet dhe sulmet dhe të mos pengojë transportin ndërkombëtar, duke vlerësuar se kjo përbën një kërcënim për sigurinë globale. Në deklaratën e përbashkët ata kërkuan gjithashtu një moratorium të menjëhershëm për sulmet ndaj infrastrukturës civile. Shoqërimi detar në Ngushticën e Hormuzit nuk është një zgjidhje e qëndrueshme— theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare, duke paralajmëruar bisedime me vendet për krijimin e një korridori humanitar për lirimin e rreth 20.000 marinarëve të bllokuar në Gjirin Persik për shkak të luftës. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar po dërgon planifikues ushtarakë për të bashkëpunuar me SHBA-në në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
