Maqedoni

Përplasje VMRO–LSDM, akuza për propagandë, korrupsion dhe “defokus”

20.03.2026 13:13

VMRO-DPMNE dhe LSDM vazhdojnë të shkëmbejnë akuza të rënda për propagandë....

VMRO-DPMNE dhe LSDM vazhdojnë të shkëmbejnë akuza të rënda për propagandë, ndikime të jashtme dhe keqqeverisje, duke e zhvendosur debatin publik nga çështjet konkrete drejt retorikës së ashpër politike. VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në për konfuzion dhe mungesë idesh.  Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM ka humbur orientimin politik dhe se komunikimi i saj publik nuk reflekton realitetin në vend, por zhvillimet në rajon.
 
“Opinioni është dëshmitar i mungesës së plotë të ideve dhe konfuzionit të LSDM-së. Në muajt e fundit, publiku është ‘bombarduar’ me kumtesa të pakuptimta dhe të paqarta. Në vend që të trajtojë çështje të rëndësishme për shtetin, LSDM merret më shumë me tema nga vendet fqinje. E gjithë kjo është rezultat i paaftësisë dhe mungesës së ideve në qendrën e tyre të komunikimit. Pas kësaj qëndron shtetasi serb Zoran Bashanoviq, i afërt me Zoran Zaev”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. 
 
Nga ana tjetër, LSDM hedh poshtë këto akuza dhe e akuzon VMRO-DPMNE-në për përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballen qytetarët, duke përfshirë rritjen e çmimeve, korrupsionin dhe stagnimin në integrimet evropiane.
 
“Defokusi nuk funksionon më. Ai nuk i mbush frigoriferët dhe nuk i ul çmimet. Nuk mund të mbulojë arrestimet për ryshfet dhe krim të lidhura me funksionarë të VMRO-së. Qytetarët e dinë se nuk ka para për shkak të tenderëve dhe korrupsionit. Ju i keni mashtruar qytetarët për BE-në, NATO-n dhe të ardhmen e shtetit. Nuk do të lejojmë që Maqedonia të bëhet si Venezuela”, theksojnë nga LSDM, ndërsa shprehen se si parti nuk do të qëndrojnë të heshtur përballë, siç thonë, dështimit të politikave qeverisëse. 
 
ERSAN PAJAZITI