Maqedoni

Besimtarët myslimanë në RMV festojnë Fitër Bajramin

20.03.2026 14:21

Besimtarët myslimanë sot në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin...

Besimtarët myslimanë sot në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme islame, e cila shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhamia Mustafa Pasha, ku morën pjesë një numër i madh besimtarësh. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, në mesazhin e tij me rastin e Fitër Bajramit theksoi se kjo festë përfaqëson një nga gëzimet më të mëdha shpirtërore të vitit. 
 
“Në këtë festë të madhe shpirtërore jemi të lumtur që triumfuam mbi destruktivitetin, materializmin, egoizmin dhe xhelozinë. Me këtë i dërguam botës mesazhin se vlerat morale janë qëllimi më i lartë i aktivitetit njerëzor. Me ndjenjën e urisë dhe etjes ne i bëjmë thirrje njerëzimit dhe botës për më shumë kujdes ndaj njeriut. Paqen që kultivuam gjatë Ramazanit dëshmoi se njerëzimi duhet të jetë i përkushtuar ndaj respektimit të vlerave njerëzore duke shmangur vrasjet, diskriminimin, luftërat masakrat dhe gjenocidet. Gjithashtu u përpoqëm të largohemi nga veset e këqija duke treguar se çdo shoqëri duhet të luftojë anomalitë që rrezikojnë jetën e saj dhe të rinisë, si alkoolizmin, prostitucionin, narkomania, korrupsioni dhe dukuritë e tjera që dëmtojnë njeriun dhe shoqërinë.”, u shpreh kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu.
 
Përveç kësaj, kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, theksoi rëndësinë e Fitër Bajramit, duke thënë se kjo ditë simbolizon mëshirën hyjnore, shpërblimin për përkushtimin gjatë muajit të Ramazanit, si dhe rëndësinë e unitetit mes njerëzve. Ai shtoi se kjo ditë duhet të jetë një moment reflektimi, kur besimtarët lënë pas mosmarrëveshjet, falin njëri-tjetrin dhe forcojnë lidhjet familjare e shoqërore, duke vënë në plan të parë paqen, mirëkuptimin dhe solidaritetin.
 
“Në këtë festë të madhe të Fiter Bajramit qëndrojmë krenarë para Zotit të madhërishëm duke shpresuar në mëshirën dhe bekimet e tij. Sot presim shpërblime të madhit Zot. Shpërblimet e tija të pakufishme për agjërimin tonë, për lutjet tona të sinqerta, për ibadetet tona dhe për sakrificat që kemi bërë gjatë muajit të shenjtë të ramazanit. Fiter Bajrami është një ditë e madhe e pajtimit dhe të afrimit. Është dita kur duhet të hapim zemrat tona të falim njëri tjetrin dhe të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore.”, u shpreh kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.    
 
Fitër Bajrami festohet pas agjërimit 30 ditor të Ramazanit, i cili përfaqëson një periudhë përkushtimi, vetëpërmbajtjeje dhe afrimi shpirtëror me Zotin. 
 
REXHEP QAMILI