Botë

Vazhdojnë sulmet në Lindjen e Mesme, shpërthime në Jerusalem dhe Teheran

20.03.2026 15:55

Sulmet në Lindjen e Mesme vazhdojnë...

Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, pas likuidimit këtë javë të një funksionari të lartë të inteligjencës dhe shërbimeve në Teheran, tha se siguria e Iranit duhet të sigurohet me çdo kusht dhe se duhet luftuar kundër armiqve që e cenojnë atë. Këtë mesazh e transmetoi sot televizioni shtetëror iranian.
 
“Siguria duhet t’u merret armiqve të brendshëm dhe të jashtëm dhe t’u sigurohet të gjithë qytetarëve tanë.”
 
Në ndërkohë sulmet në Lindjen e Mesme vazhdojnë. Shpërthime dëgjohen në Jeruzalem dhe Teheran, ndërsa vendet e Gjirit raportojnë për dronë dhe raketa iraniane të kapura. Rafineria e naftës në Kuvajt është përsëri në shënjestër. Ndërkohë, sulmet hakmarrëse të Teheranit po rrisin çmimet globale të naftës, ndërsa Izraeli iu përgjigj thirrjes së Trumpit dhe njoftoi se nuk do të sulmojë më objektet kryesore energjetike iraniane.
 
“Izraeli veproi i vetëm kundër kompleksit bërthamor. Trump më kërkoi të përmbahemi nga sulme të mëtejshme dhe ne po përmbahemi. Po fitojmë. Irani nuk ka mundësi të pasurojë uranium dhe të prodhojë raketa balistike.”, tha kryeminsitri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. 
 
Teherani zyrtar mohon çdo humbje dhe pohon se po vazhdon zhvillimin e raketave, ndërsa presidenti amerikan konfirmoi se po kërkon 200 miliardë dollarë financim të ri për Pentagonin për ndihmë shtesë në luftën ndaj Iranit.
 
“Sa i përket 200 miliardë dollarëve, mendoj se kjo shumë mund të rishikohet. Duhen para për të vrarë njerëzit e këqij.”, tha sekretar amerikan i mbrojtës, Pete Hegseth.
 
Kriza energjetike po thellohet gjithnjë e më shumë pas sulmeve ndaj fushave kryesore të gazit. Katari planifikon të ulë eksportin e gazit natyror për 17 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme dhe paralajmëron se kjo do të shkaktojë humbje prej 20 miliardë dollarësh.
 
“Këto sulme nuk sjellin dobi të drejtpërdrejtë për asnjë vend. Pretendimet e Iranit se sulmet janë kundër interesave amerikane janë të papranueshme.”, u shpreh kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
 
Kriza energjetike mbetet temë kyçe ndërsa ngushtica e Hormuzit qëndron e mbyllur. Aleatët evropianë të SHBA-së u shprehën të gatshëm të ndihmojnë në sigurimin e lundrimit, duke i bërë thirrje Iranit të ndalojë menjëherë kërcënimet dhe sulmet, që pengojnë transportin ndërkombëtar dhe rrezikojnë sigurinë globale. Ata njëherit kërkuan moratorium të menjëhershëm për sulmet ndaj infrastrukturës civile.
 
“Në konkluzione që miratuam, kemi bërë thirrje për zbatimin urgjent të një moratoriumi për sulmet ndaj infrastrukturës civile, veçanërisht asaj energjetike dhe ujore. Diskutojmë edhe për ngushticën e Hormuzit, dhe sapo situata të qetësohet, Franca është e gatshme, së bashku me kombet e tjera, të marrë përgjegjësinë për shoqërimin e anijeve.”, u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Shoqërimet detare në ngushticën e Hormuzit nuk përbëjnë një zgjidhje afatgjatë, theksoi sekretari i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare, duke njoftuar se do të nisë negociata me vendet për krijimin e një korridori humanitar për lirimin e rreth 20,000 marinarëve të bllokuar në Gjirin për shkak të konfliktit.
 
“Shoqërimi detar nuk është një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë. Duhet të ruajmë sigurinë e lundrimit. Jam i gatshëm të filloj negociata për një korridor humanitar për evakuimin e të gjitha anijeve dhe marinarëve të kapur.”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i OND-së, Arsenio Dominguez.
 
Përveç Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Holandës, edhe Britania e Madhe dhe Japonia kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes ngushticës së Hormuzit pas sulmeve të fundit iraniane në Gjirin Persik. Disa prej tyre kanë dërguar gjithashtu planifikues ushtarakë për të bashkëpunuar me SHBA-në në hapjen e ngushticës.
 
REXHEP QAMILI