Maqedoni
Arrestohet Vase Anakiev për ryshfet, reagojnë partitë politike
20.03.2026 16:24
Partitë politike në vend kanë reaguar për arrestimin e Vase Anakievit...

Rreth arrestimit të drejtorit të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, kanë reaguar partitë politike në vend. Partia Socialiste u bën thirrje institucioneve kompetente të veprojnë sipas ligjit dhe rasti të zbardhet plotësisht dhe drejtësia të vihet në vend.
“Partia Socialiste u bën thirrje institucioneve kompetente të veprojnë sipas ligjit, me përgjegjësi dhe pa selektivitet, të ndërmarrin të gjitha aktivitetet në zbulimin e çdo rasti për të cilin ka dyshime të arsyeshme për krim ose abuzim me detyrën zyrtare. Respektimi dhe zbatimi i ligjit përjashton selektivitetin ose paragjykimin dhe siguron drejtësi.”, thuhet në komunikatën e Partisë Socialiste.
Ndërsa nga partia opozitare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ky është vetëm një nga rastet e shumta korruptive në këtë Qeveri dhe në Ministrinë e Bujqësisë.
“Kjo është dëshmia më e mirë se pse për bujqit nuk ka mjete, pse nuk ka subvencione, dhe pse nuk kanë as shpresë se diçka mund të marrin nga këto institucione në Bujqësi. Informacionet nga kjo Qeveri se është aksion i koordinuar kundër krimit dhe korrupsionit, absolutisht nuk mbanë, sepse ne më shumë e shohim se dikujt i ka ardhur mbi kokë nga këto veprime, dhe e ka lajmëruar si rast, ndërsa këto vetëm kanë vepruar.”, u shpreh Jon Frçkovski nga LSDM.
Kurse nga VMRO-DPMNE-ja, kanë theksuar se kjo është dëshmia më e mirë se kjo Qeveri nuk do të vepron në mënyrë selektive, dhe çdonjëri i cili ka shkelur ligjin, do të japë llogari.
“Ky është një përcaktim i kësaj Qeverie, kundër luftës së krimit dhe korrupsionit. Secili i cili ka shkelur ligjin, pa marrë parasysh a është i LSDM-së, VMRO-DPMNE-së apo ndonjë subjekti tjetër politik duhet të japë llogari, dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Po ashtu e përshëndesim aksionin policor të MPB, dhe kjo është një porosi për të gjithë të tjerët se me ligjin nuk ka lojë. Ne nuk presim që këtë porosi ta kuptojnë nga LSDM-ja, sepse ato janë pjesë e këtij grupi kriminal, e cila dëshiron të vije në pushtet me të vetmin qëllim që sa më shumë të vjedhin.”, u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Vase Anakiev ishte i emëruar si Drejtor i këtij Inspektorati më Korrik të vitit 2024, ndërsa ka qenë i punësuar në Ministrinë e Bujqësisë nga viti 2008.
FITIM KRYEZIU
