Botë
Java e tretë e konflitit në Lindjen e Mesme, Trump i gatshëm për dialog, por jo për armëpushim
21.03.2026 13:36
Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e tretë...

Presidenti amerikan Trumpnga njëra anë paralajmëron uljen e angazhimit ushtarak në Iran, ndërsa nga ana tjetër mijëra trupa amerikane po dërgohen drejt rajonit. Ai thotë se është i gatshëm për dialog, por jo për armëpushim.
“Mund të kemi dialog, por nuk dua të bëj armëpushim. Këtë nuk e bëni kur fjalë për fjalë po shkatërroni palën tjetër. Ata nuk kanë flotë detare. Nuk kanë forcë ajrore. Nuk kanë asnjë pajisje, liderët e tyre janë vrarë. Thjesht, nuk duam ta bëjmë këtë”, deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Irani: Nuk kërkojmë konflikt me vendet islamike, janë vëllezërit tanë
Teherani për herë të parë përdori një raketë balistike me rreze të mesme drejt bazës së përbashkët ushtarake të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe – Diego Garcia, në mes të Oqeanit Indian, pasi Londra i lejoi Uashingtonit të kryejë sulme ndaj objektivave iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Asnjë nga raketat nuk e ka goditur objektivin, pretendojnë SHBA-të. Irani dërgoi një paralajmërim të ri për armiqtë, duke njoftuar zgjerimin e objektivave të mundshme edhe jashtë zonave ushtarake.
“Nuk kërkojmë konflikt apo luftë me kombet islamike, ato janë vëllezërit tanë. Nuk kemi të drejtë të luftojmë kundër njëri-tjetrit nën asnjë justifikim. Nuk duhet të biem në kurthin që na e kanë përgatitur armiqtë tanë me arsyetimin se po lëvizim drejt sigurimit të armëve bërthamore”, u shpreh presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian.
Izraeli: Do ta zgjerojmë operacionin në ditët e ardhshme
Vazhdojnë sulmet e ndërsjella mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa ushtria izraelite paralajmëron zgjerimin e operacioneve në jug të Libanit.
“Operacionet tokësore në jug të Libanit po intensifikohen. Do ta zgjerojmë operacionin në ditët e ardhshme. Deri tani kemi sulmuar mbi 2.000 objektiva në Liban dhe kemi neutralizuar më shumë se 600 terroristë”, theksoi zëdhënësi i ushtrisë izraelite Efi Defrin.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe e tensioneve. Për të ulur çmimet e benzinës, SHBA-të hoqën përkohësisht sanksionet për një pjesë të naftës iraniane të bllokuar në det, duke synuar të sjellin rreth 140 milionë fuçi në tregjet globale.
Ndërkohë, Donald Trump i quajti sërish aleatët e NATO-s “frikacakë”, duke i akuzuar se nuk e ndihmuan Uashingtonin në sigurimin e ngushticës.
ARMEND MURSELI
