Maqedoni

Korrupsioni te fondet për bujqësi, LSDM: Kush tjetër nga pushteti është i përfshirë?

21.03.2026 13:54

Edhe sot kanë vazhduar përplasjet mes opozitës maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE...

Edhe sot kanë vazhduar përplasjet mes opozitës maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE lidhur me ish-drejtorin e Inspektoriatit Shetëror për Bujqësi tani më të arrestuar Vase Anakiev. LSDM kërkon një hetim të detajuar për rastin në të cilin ai është arrestuar dhe sërish akuzon se ky rast dëshmon për korrupsion serioz në institucionet shtetërore.
 
Madje, socialdemokratët e shohin këtë rast si pjesë të një problemi më të gjerë dhe të organizuar, duke përmendur edhe një rast tjetër të dyshuar për marrje ryshfeti. Andaj opozita kërkon hetim të plotë për të zbuluar përgjegjësinë dhe për të vepruar ndaj të gjithë të përfshirëve, pa përjashtim.
 
“Para vetëm disa muajsh ndodhi një skandal korrupsioni, në të cilin drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare të Bujqësisë gjithashtu u arrestua për ryshfet prej 50.000 eurosh. Për shkak të këtij skandali, programi IPARD 3, me vlerë 130 milionë euro, u pezullua. Programi IPARD 3 është i bllokuar, subvencionet janë ulur për 40 për qind dhe çmimet e blerjes janë ulur. Për shkak të kriminelëve në pushtet, vuajnë bujqit. Pyetja është, kush tjetër nga pushteti është i përfshirë? Nuk është e mundur që të ketë kaq shumë korrupsion në nivelet më të ulëta, ndërsa ata në krye të Ministrisë dhe në Qeverinë më të korruptuar të Hristijan Mickoski të mos kenë qenë në dijeni. LSDM kërkon një hetim të thellë, i cili do të përcaktojë përgjegjësinë nga i pari deri te i fundit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
VMRO: LSDM e nemitur kur kapen ish zyrtarë të saj
 
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së, duke hedhur poshtë akuzat e LSDM. Ata thonë se LSDM vepron selektivisht në bazë të rasteve korruptive që zbulohen në vend.
 
Kur bëhet fjalë për persona të arrestuar që lidhen me funksionarë aktualë të pushtetit, ata janë të “zëshëm”, ndërsa kur bëhet fjalë për persona të dyshuar nga rradhët e tyre, heshtin dhe nuk distancohen. VMRO-DPMNE i dërgon mesazh LSDM-së se asnjë nuk është i paprekshëm. Secili që ka shkelur ligjin do të përgjigjet para organeve të drejtësisë.
 
“Ata gëzohen dhe u vjen mirë në shpirt kur ndodh ndonjë krim ose korrupsion, dhe edhe më shumë kur personi lidhet me VMRO-DPMNE. Kjo për ta është kënaqësi. Kur persona të tyre janë arrestuar dhe dërguar para organeve të drejtësisë për të cilët kishte dyshime të bazuara se kishin kryer krim, si për shembull Artan Grubi, ne nga LSDM nuk dëgjuam që ata u distancuan. Për të, nuk dëgjuam të flisnin kaq zëshëm. Ndërsa tani, personi që aktualisht është lider i partisë së tyre ka tregues dhe prova të drejtpërdrejta se, për shkak të lëshimeve të tij ndërsa ishte ministër i Shëndetësisë, ndodhi zjarri në spitalin modular në Tetovë, ku u dogjën të gjallë 14 qytetarë tanë, dhe për këtë rast as nuk dëgjuam që të kërkojnë drejtësi kaq zëshëm”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Qeveria: Lufta kundër korrupsionit, prioritet
 
Pavarësisht akuzave të partive politike, Qeveria përshëndet veprimet e institucioneve kompetente dhe shpreh vendosmëri absolute për të zhdukur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e pushtetit. Në këtë “luftë” të shpallur, asnjëherë nuk do të ketë kompromis për shkak të përkatësisë politike apo partiake. 
 
“Qeveria përshëndet aksionin e organizuar nga institucionet kompetente. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet prioritet kryesor, pavarësisht përkatësisë politike apo partiake. Ne e kuptojmë që LSDM nuk e kupton këtë, por kjo përfaqëson zbatim të qëndrueshëm të ligjeve dhe parimeve të sundimit të së drejtës.”, thanë nga ekzekutivi. 
 
Të enjten në mbrëmje, drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, u arrestua gjatë një aksioni të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut dhe Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai dyshohet se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 50.000 eurosh. 
 
REXHEP QAMILI