Maqedoni

Situata e naftës në botë, Birol: Kemi sfidën më të madhe energjetike

21.03.2026 14:12

SHBA-të po përpiqen të stabilizojnë çmimin e naftës...

SHBA-të po përpiqen të stabilizojnë çmimin e naftës, i cili ka arritur në 120 dollarë për fuçi, duke hequr për një muaj sanksionet për 140 milionë fuçi naftë iraniane që janë në tranzit.
 
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë propozoi lirimin e 400 milionë fuçive nga rezervat dhe masa për kursimin e naftës, si puna nga shtëpia, ulja e shpejtësisë në autostrada, përdorimi më i madh i transportit publik, reduktimi i trafikut ajror dhe përdorimi i karburanteve alternative në familje.
 
“Bota jonë po përballet me sfidën më të madhe për sigurinë globale të energjisë në histori. Ajo është shumë më e madhe se kriza e viteve 1970 me rritjen e çmimeve të naftës. Është gjithashtu më e madhe se kriza e çmimeve të gazit natyror që përjetuam pas pushtimit rus të Ukrainës. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për naftën dhe gazin – edhe plehrat kimike dhe petrokimikatet po përballen me probleme të mëdha. Prandaj besoj se bota ende nuk i ka kuptuar plotësisht sfidat energjetike me të cilat përballemi sot”, deklaroi drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Fatih Birol.
 
LSDM akuzon qeverinë se nuk po ndërmerr asnjë masë
 
LSDM akuzon Qeverinë se, megjithëse çmimet e karburanteve po rriten prej tre javësh për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, nuk po ndërmerr asnjë masë. Sipas partisë, çmimet kanë nisur të rriten edhe në markete.
 
“Spirala e rritjes së çmimeve të ushqimeve ka filluar. Në markete tashmë kanë nisur shtrenjtimet: vaji i gatimit mbi 100 denarë, vezët mbi 300 denarë, ndërsa perimet dhe frutat mbi 100 denarë për kilogram. Produktet bazë po bëhen luks. Po paralajmërohet edhe një rritje e re e çmimeve të karburanteve. Madje edhe nëse çmimet në bursat ndërkombëtare stabilizohen, çmimet në markete nuk do të ulen.Pse qeveria nuk ndërmerr asgjë? A po pret që të rritet varfëria, që njerëzit të mos kenë para për bukë dhe të mos mund të ushqehen? Është e qartë se biznesi privat i VMRO-së duhet të përfitojë mbi kurrizin e popullit”, theksoi Simona Cvetanoski nga LSDM.
 
VMRO: S’janë plotësuar kushtet për uljen e akcizës
 
Partia në pushtet VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj kërkesës së LSDM për uljen e çmimit të karburanteve.VMRO-DPMNE thotë se opozita po bën vetëm deklarata publike, në vend që të propozojë ligje konkrete në Parlament. Sipas tyre, kërkesa për uljen e akcizës nuk mund të zbatohet, sepse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë.
 
“Ligjet përcaktojnë qartë se akciza mund të ulet nëse ka krizë ose gjendje të jashtëzakonshme dhe nëse çmimi i naftës për ton tejkalon 1,200 dollarë. Aktualisht, kjo nuk është e vërtetë”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Nga Qeveria kanë theksuar se po e monitorojnë situatën me çmimet e karburanteve dhe po shqyrtojnë masa të mundshme, përfshirë uljen e TVSH-së nga 18% në 10%, për të mbrojtur standardin e jetesës dhe stabilitetin ekonomik.
 
ARMEND MURSELI