Maqedoni

AUV ndalon 50 ton ushqim të pasigurtë, bllokohen 27 ton mish i grirë nga Paraguai

22.03.2026 15:37

Rreth 27 ton mish i bluar me prejardhje nga Paraguaji nuk përfunduan në tregun e vendit...

Rreth 27 ton mish i bluar me prejardhje nga Paraguaji nuk përfunduan në tregun e vendit, pasi veterinarët dhe inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari konstatuan dyshime thelbësore për sigurinë e tij, duke vlerësuar se paraqet rrezik për konsumatorët.
 
Vendimi për ndalimin e importit u morr pasi dokumentacioni tregonte se mishi vinte nga një objekt që nuk është miratuar nga Agjencia dhe nuk plotësonte standardet themelore të sigurisë ushqimore.
 
"Veterinarët zyrtarë të AUV-së në vendkalimin kufitar Qafë Thanë ndaluan importin e 27 tonelatave mish të bluar viçi me prejardhje nga Paraguaji. Vendimi për ndalesë për hyrje të mishit në shtetin tonë është marrë pas kontrollit të kryer në sistemin informativ të AUV-së dhe të dokumentacionit importues sipas të cilit sasitë të cilat duhej të importoheshin dhe të përfundojnë në tregun e vendit vinin nga një object, i cili nuk është miratuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, me çka nuk janë përmbushur standardet themelore të sigurisë për import, përkatësisht ekzistojnë dyshime për rregullshmëri shëndetësore të mishit, që paraqet rrezik për konsumatorët", - thuhet në komunikatën e lëshuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
 
Ndalohet plasmani i 22 ton arra nga Kazakistani
 
Por kjo nuk është gjithçka. Ditëve të fundit, inspektorët për ushqim kanë pasur duart plot me punë, duke ndaluar edhe 22 ton të tjera me arra me prejardhje nga Kazakistani, për shkak të shënimeve joadekuate dhe mosrespektimit të kritereve të caktuara për cilësi dhe siguri të ushqimit.
 
"Për atë shkak, e tërë sasia prej 22 tonelatave është kthyer në vendin e prejardhjes, përkatësisht, është ndaluar plasmani i saj në tregun e vendit tonë", thuhet më tej në komunikatën e AUV-së duke theksuar se kontrollet e importit të ushqimit nga ana e veterinarëve zyrtarë dhe inspektorëve për ushqim do të vazhdojnë me tempo të përforcuar, me qëllim që të parandalohet futja e prodhimeve të pasigurta dhe u bëjnë thirrje importuesve t'i respektojnë rregullativat dhe standardet ligjore sepse shëndeti i qytetarëve mbetet prioritet kryesor për institucionin.
 
REXHEP QAMILI