Maqedoni

Sfida energjetike, qeveria ul TVSH-në për karburantet nga 18 në 10%

22.03.2026 16:00

Qeveria në mbledhjen e sotme mori vendim që tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH)...

Qeveria në mbledhjen e sotme mori vendim që tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) për karburantet të ulet nga 18% në 10%. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha se ky vendim është marrë për të parandaluar një shok të çmimeve.
 
“Sipas analizave të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe situatës në tregun global dhe bursat, pritet që në mbledhjen e nesërme të propozohet një rritje e re e çmimeve të karburanteve: për benzinën 6,5 denarë, ndërsa për dizelin 10,5 denarë për litër. Kjo do të thoshte se, nëse nuk do të merrnim vendimin për uljen e TVSH-së, Eurosuper BS 95 do të shtrenjtohej në 93 denarë, Eurosuper BS 98 në 95 denarë, ndërsa dizeli në 102,5 denarë. Me këtë vendim tonin nuk do të kemi rritje të çmimit të benzinës, ndërsa dizeli do të shtrenjtohet vetëm për 3,5 denarë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Me ndërhyrjen e Qeverisë, Mickoski thotë se rritja e çmimit te dizeli do të jetë e vogël, ndërsa çmimi i benzinës do të mbetet i pandryshuar. Ai shtoi se përveç zbritjes tashmë të dakorduar prej 2 denarësh për litër, do të bisedojnë me kompaninë “Okta” për rritjen e zbritjes ndaj tregtarëve, por paralajmëroi se pret që edhe ata të ulin një pjesë të fitimit të tyre gjatë kohës së krizës.
 
“Për shkak se kemi çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, ka presion nga shtetet fqinje, pra qytetarë nga vendet e tjera që vijnë dhe furnizohen te ne. Sipas të dhënave, konsumimi është rritur rreth 9%, ose rreth 150.000 litra shtesë, kryesisht në komunat kufitare si Dibwr, Strugë, Ohër në perëndim, Manastir dhe Gjevgjeli në jug, dhe Kumanovë në veri”, theksoi Mickovski.
 
Ulja e TVSH-së fillon më 24 mars për dy javë dhe sjell çmime më të ulëta të karburanteve, duke ndalur zinxhirin e rritjeve dhe duke mbrojtur çmimet e ushqimit, transportit dhe shërbimeve.
 
ARMEND MURSELI