Maqedoni

S’ka rritje pagash për prokurorët, do të ketë 200 punësime të reja në gjykata

22.03.2026 16:18

Për momentin, nuk ka hapësirë për rritje të pagave të prokurorëve...

Kështu u shpreh Kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me gatishmërinë e qeverisë për të rishikuar buxhetin shtetëror për rritjen e mbështetjes financiare, siç e përmendi më herët gjatë betimit kryeprokurori i ri i shtetit, Nenad Saveski.
 
Mickoski tha se aktualisht kjo është e pamundur, por shtoi se qeveria është e gatshme të përforcojë kapacitetet dhe resurset jo vetëm të prokurorisë, por edhe të gjykatave, përmes punësimeve të reja. Me këtë rast, ai paralajmëroi se do të punësohen rreth 200 bashkëpunëtorë të rinj të gjyqësorit nëpër gjykatat e vendit.
 
“Sa i përket pagave, nuk mendoj se ka hapësirë për rritje, ndërsa sa i përket resurseve dhe mjeteve, natyrisht që këtu mund të diskutojmë, të ulemi jo vetëm me prokurorinë, por edhe me gjykatat. Sipas asaj që di, bazuar në planin që e ka përgatitur vetë Këshilli Gjyqësor, do të ketë 200 punësime të reja. Kjo është diçka që përbën një hap të madh. Për sqarim, do të jenë punësime të bashkëpunëtorëve të gjykatave, nuk flas për punësime të gjyqtarëve. Mendoj për punësime të njerëzve që punojnë në gjykata dhe janë pjesë e shërbimit gjyqësor. Pra këto 200 punësime të reja për sa di, gjykatat nuk i kanë pasur më parë me një dinamikë të tillë dhe ne do të vazhdojmë t’i ndjekim më tej”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Deklarata e kryeministrit për pagat dhe punësimet vjen në kontekstin e diskutimeve mbi propozimligjin për Prokurorinë Publike i cili synon reforma themelore në organizimin e sistemit prokurorial dhe përforcimin e kapaciteteve të prokurorisë dhe gjykatave.
 
Prokurorët publikë duhet të jenë faktorë të vërtetë në këtë shtet dhe mbështetja fillestare për ta përmes pagave dhe pavarësisë financiare u përmend disa ditë më parë gjatë debatit publik të organizuar në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Me ndryshimet e propozuara parashikohen procedura disiplinore më të qarta dhe të strukturuara me kategorizim të shkeljeve në tre nivele, masa përkatëse dhe afate konkrete, si dhe kritere të përcaktuara për formimin e komisionit disiplinor.
 
Njëherësh, propozimligji i ri synon modernizimin e kuadrit ligjor, vendosjen e një sistemi të qartë meritor për përzgjedhjen, avancimin dhe vlerësimin e prokurorëve, forcimin e pavarësisë së tyre dhe rritjen e transparencës.
 
REXHEP QAMILI