Botë
Rriten tensionet luftarake SHBA–Izrael ndaj Iranit, Tramp kërcënon me sulme ndaj termocentraleve
22.03.2026 16:36
Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dhënë ultimatum Iranit se në qoftë se Ngushtica e Hormuzit...

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dhënë ultimatum Iranit se në qoftë se Ngushtica e Hormuzit nuk hapet brenda 48 orëve do të shkatërroj termocentralet iraniane.
“Nëse Irani nuk e hap plotësisht, pa kërcënime, Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve nga ky moment, SHBA do t’i sulmojë dhe shkatërrojë termocentralet e tyre të ndryshme, duke filluar nga më i madhi”, deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump.
Teherani u përgjigj se hakmarrja do të jetë e ashpër dhe se një sulm ndaj infrastrukturës energjetike iraniane mund ta lërë të gjithë rajonin në errësirë.
“Nëse armiku sulmon infrastrukturën energjetike dhe të naftës së Iranit, të gjitha objektet energjetike, të teknologjisë së informacionit dhe të ujit të pijshëm që u përkasin SHBA-së dhe regjimit në rajon do të jenë objekt i hakmarrjes”, theksoi zëdhënësi i shtabit qendror të Iranit, Hatam Al-Anbija.
Irani pretendon se ngushtica është e hapur për të gjithë, përveç armiqve. Ndërkohë, në media po shtohen raportimet se disa anijeve u kërkohet një “tarifë” deri në dy milionë dollarë për të kaluar nëpër ngushticë, pasi lufta ka çmimin e saj, tha deputeti iranian Boroujerdi.
Tensionet rreth ngushticës tashmë kanë shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dhe gazit. Analistët paralajmërojnë për një goditje të re të rëndë ndaj tregjeve globale nëse ultimatumi dhe kërcënimet nuk tërhiqen. Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të ulin objektivat për magazinimin e gazit, pasi lufta po ndikon në rezervat kritike.
Luftimet në rajon vazhdojnë. Gjashtë persona humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri në Katar, ndërsa Arabia Saudite dëboi atasheun ushtarak iranian dhe një pjesë të stafit të ambasadës.
Një person u vra nga një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një automjeti në veri të Izraelit, ndërsa pas sulmeve me raketa në Arad dhe Dimona, ku mbi njëqind persona u plagosën, Tel Avivi paralajmëroi hakmarrje.
“Ne vazhdojmë të luftojmë kundër armikut me vendosmëri, edhe më intensivisht me mikun tonë amerikan. Po i godasim fort dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të arrijmë të gjitha objektivat tona”, u shpreh kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu.
Irani njoftoi se objekti bërthamor në Natanz është dëmtuar nga një sulm ajror izraelit, por nuk ka rrjedhje rrezatimi. Natanz, së bashku me objektet në Isfahan, përbën një nga segmentet më të rëndësishme të infrastrukturës bërthamore të Iranit dhe ndodhet në pjesën qendrore të vendit.
ARMEND MURSELI
