Maqedoni

Ulja e TVSH-së për karburantet, VLEN: Masë konkrete në mbrojtje të qytetarëve

22.03.2026 16:54

VLEN ka përshëndetur uljen e TVSH-së për karburantet...

Sipas VLEN, kjo Qeveri gjithmonë është angazhuar dhe ka mbështetur fuqishëm politikat që sjellin lehtësim konkret për familjet, bizneset dhe çdo qytetar që përballet me pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
 
“Vendimi për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të zbutur presionin mbi standardin e qytetarëve dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik në vend. Në kushte të krizës globale, luhatjeve në tregjet energjetike dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës, ndërmarrja e masave konkrete, të përgjegjshme dhe në kohë është domosdoshmëri. Pikërisht këtë e reflekton edhe kjo masë, e cila synon të zbusë goditjen e drejtpërdrejtë mbi buxhetin familjar, sektorin e transportit, bizneset dhe zinxhirin e çmimeve në përgjithësi.” – thuhet në kumtesën e VLEN-it.
 
Partneri shqiptar në Qeveri, njëkohësisht, mbështet edhe qasjen për kontroll të shtuar në treg, me qëllim që të parandalohet çdo abuzim i mundshëm, çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve dhe çdo tentativë për përfitim në kurriz të qytetarëve.