Maqedoni

VMRO-DPMNE dhe VLEN: Ulja e TVSH-së, masë e duhur nga Qeveria

23.03.2026 14:15

Partitë në pushtet e kanë vlerësuar pozitivisht vendimin e Qeverisë për uljen e TVSH-së për karburantet në 18 në 10%...

Partitë në pushtet e kanë vlerësuar pozitivisht vendimin e Qeverisë për uljen e TVSH-së për karburantet në 18 në 10%. Ky vendim në masë të madhe do t’i ndihmojë qytetarit dhe do ta ruajë standardin jetësor, por do ta ndihmojë edhe ekonominë, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE. 
 
“Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE po kujdeset për standardin e jetesës së qytetarëve me një plan dhe masa konkrete. Ulja e TVSh-së për karburantet dhe lirimi i sasive të naftës nga rezervat shtetërore janë dy masat me të cilat Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të parandalojë rritjen e çmimeve të produkteve dhe energjisë elektrike. Ulja e TVSh-së për karburantet nga 18% në 10%, ndikon drejtpërdrejt në stabilizimin e çmimeve. Këto masa sjellin kursime konkrete për qytetarët, duke kursyer afërsisht 200 mijë euro në ditë, ose diku rreth një milion e gjysmë euro në javë, duke marrë parasysh konsumin mesatar të karburantit. Këto masa ndërpresin zinxhirin e rritjes së çmimeve.”, - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. 
 
Edhe nga VLEN-i e vlerësojnë këtë si masë konkrete, në mbrojtje të qytetarëve.
 
“Qeveria VLEN gjithmonë është angazhuar dhe ka mbështetur fuqishëm politikat që sjellin lehtësim konkret për familjet, bizneset dhe çdo qytetar që përballet me pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Vendimi për uljen e TVSh-së për karburantet nga 18 në 10 për qind është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të zbutur presionin mbi standardin e qytetarëve dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik në vend.”, - thuhet në komunikatën e VLEN-it.
 
LSDM: Qeveria reagoi me vonesë për uljen e TVSh-së
 
Por, nga LSDM e vlerësojnë këtë hap si shumë të vonuar dhe joefektiv. Sipas partisë opozitare, çmimi i derivateve do të vazhdojë të rritet, por njëjtë edhe produktet ushqimore. 
 
“Gjysmëmasa e Hristijan Mickoskit për uljen e TVSh-së për karburantet nga 18% në 10% është e vonuar dhe joefektive - karburantet do të shtrenjtohen përsëri dhe qytetarët nuk do të ndiejnë asgjë. Çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm - nafta është shtrenjtuar me gjithsej 21 denarë, ndërsa sot pritet një rritje e re e çmimit prej 4 deri në 6 denarë shtesë. Ky është konfirmim se gjysmëmasa e Mickoskit nuk do ta parandalojë rritjen e çmimeve, qytetarët do të paguajnë karburant edhe më të shtrenjtë dhe çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të rriten. Reagimi i vonuar i Qeverisë po u kushton shtrenjtë qytetarëve, mbi 4.5 milionë euro më shumë janë paguar për karburant, dhe ndërkohë është aktivizuar një spirale rritjeje e çmimeve të ushqimeve.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
LSDM propozon që TVSh-ja për karburantet të ulet në 5%, akcizat të ulen për 4 denarë dhe 0% TVSh për produktet ushqimore bazë dhe përgjysmimin e çmimeve të taksave rrugore.
 
FITIM KRYEZIU