Protesta e demokratëve në Shqipëri, u hodhën molotovë dhe fishekzjarre

23.03.2026 14:31

Një protestë e dhunshme...

Një protestë e dhunshme, me pasojë lëndimin e 6 punonjësve të policisë, u zhvillua mbrëmë nën organizimin e Partisë Demokratike. Molotov dhe fishekzjarre u hodhën ndaj kryeministrisë, Bankës së Shqipërisë, pranë RTSh-së dhe Xhamisë së Namazgjasë.

Në marshimin nëpër Tiranë, Berisha dhe protestuesit nuk mundën të arrinin dot Parlamentin, pasi forcat e policisë krijuan gardhe sigurie.

Molotovët lënduan 6 efektivë të policisë, ndërsa 15 militantë u arrestuan.

Deputeti demokrat Klevis Balliu, koordinator për organizimin në PD, do të hetohet në gjendje të lirë, i dyshuar nga policia e Tiranës për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme dhe shtyrje e të miturve në krim. Edhe këta të fundit po hetohen të lirë për shkak të moshës, me akuzën e akteve të dhunës.

Grupet e organizuara për sulm të militantëve, hodhën molotovë e fishekzjarre ndaj godinës së Qeverisë. Më tej marshimi i çoi në bllokun e ministrive, ku u sulmua ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës, edhe pse Belinda Balluku nuk është më prej disa javësh. Në spital shkoi kreu i PD-së Sali Berisha, i cili vizitoi një protestues të lënduar, dhe i qëndroi deklarimeve të njëjta pas çdo tubimi, se policët bënë gjoja si të plagosur.

Ambasada gjermane i dënoi aktet e dhunës së PD-së, duke i quajtur të papranueshme. (Luljeta Ndoka, TVM2)