Fondi për Sigurim Shëndetësor: Në MPB u keqpërdorën 20% e pushimeve mjekësore

23.03.2026 14:46

Fondi për Sigurim Shëndetësor me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme...

Fondi për Sigurim Shëndetësor me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka kryer kontroll të detajuar të pushimeve mjekësore të punonjësve të kësaj ministrie. Kontrolli u krye në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe përfshiu 80 persona të siguruar, të cilët regjistruan gjithsej 514 leje mjekësore.

Nga numri i përgjithshëm i lejeve mjekësore, 258 zgjatën deri në 7 ditë, 171 zgjatën deri në 15 ditë, 83 zgjatën 30 ose më shumë ditë.

Diagnozat më të përdorura gjatë lëshimit të pushimeve mjekësore ishin: sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes, sëmundjet e sistemit muskuloskeletor dhe indit lidhës, sëmundjet e sistemit tretës.

Gjatë kontrollit, u identifikuan parregullsi te 29 nga 80 personat e kontrolluar, që përfaqëson rreth 37 për qind të rasteve të mbuluara, informojnë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

“Këta 29 persona kanë përdorur gjithsej 236 leje mjekësore, nga të cilat 100 janë vlerësuar si të lëshuara në mënyrë të parregullt, ndërsa 136 kanë qenë të rregullta. Kjo do të thotë se janë konstatuar parregullsi në 100 nga gjithsej 514 pushime  mjekësore ose rreth 19.5 për qind e numrit të përgjithshëm të lejeve mjekësore të kontrolluara. Po ashtu janë kontrolluar edhe 105 institucione private shëndetësore, kryesisht ordinanca të mjekësisë së përgjithshme (98), si dhe ordinanca gjinekologjike dhe obstetrike (4) dhe stomatologji (3). Parregullsi janë gjetur në 29 institucione shëndetësore, nga të cilat 27 në mjekësinë e përgjithshme dhe 2 në gjinekologji. Parregullsi janë konstatuar edhe në tre specialistë dhe dy komisione mjekësore.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së,  Sasho Klekovski.                                      

Për të gjitha parregullsitë e identifikuara janë duke u zhvilluar procedura për vendosjen e gjobave në shumën totale prej 1.2 milion denarësh, thonë nga Fondi Shëndetësor.

"Ky aktivitet i Fondit është pjesë e kontrolleve të intensifikuara mbi lejet mjekësore në sektorin publik, ku vitet e fundit janë regjistruar dyshime të konsiderueshme për abuzim të sistemit për paaftësi të përkohshme në punë. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore mbetet i përkushtuar fuqimisht ndaj zbatimit konsistent të rregulloreve, përmirësimit të sistemit të kontrollit dhe mbrojtjes së fondeve nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.", - theksoi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.

Sipas Fondit Shëndetësor parregullsitë më të zakonshme të konstatuara janë mospërmbushja e procedurave të detyrueshme diagnostikuese në përputhje me Kriteret nga Rregullorja për Vlerësimin e Paaftësisë së Përkohshme për Punë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)