Maqedoni

LSDM dhe VMRO-DPMNE, përplasje rreth emrit dhe gjuhës maqedonase

23.03.2026 14:55

LSDM opozitare ka vazhduar me kritikat ndaj VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë...

LSDM opozitare ka vazhduar me kritikat ndaj VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë për mashtrim të qytetarëve lidhur me premtimet për kthimin e emrit Republika e Maqedonisë, si dhe injorim të dispozitave të ligjit për përdorim të gjuhës maqedonase të miratuar në fillim të vitit 2024. 
 
“Ashtu si VMRO-DPMNE gënjeu se do ta kthente emrin, ashtu zhvilloi edhe një fushatë të rreme se gjuha maqedonase është e rrezikuar. Sot, gjuha maqedonase është e njohur nga e gjithë bota dhe nga Bashkimi Evropian. Por, sot gjuha maqedonase është e rrezikuar nga Qeveria e Hristijan Mickoskit. Nuk po zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, ligj i cili nënkupton mbrojtje, avancim, respektim dhe pasurim të gjuhës maqedonase.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojçevska.
 
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së, e cila iu kundërpërgjigj LSDM-së duke i bërë thirrje të mos heshtë dhe të tregojë nëse shefi i tyre për PR, Zoran Bashanoviq, ka pasur rol ndërmjetësues në marrëveshje kyçe në sektorin energjetik dhe në ndryshimin e emrit të shtetit, të cilin e realizuan Zoran Zaev dhe Venko Filipçe.
 
“LSDM nuk duhet të heshtë,  është koha që e vërteta për rolin e Zoran Bashanoviqit të dalë në pah. LSDM nuk guxon t’i shmanget përgjigjeve para opinionit publik maqedonas për rolin e shefit të tyre për PR, Zoran Bashanoviq, në procese kyçe politike dhe ekonomike. A ka qenë Bashanoviqi ndërmjetës në marrëveshje të ndjeshme politike, përfshirë edhe komunikimin ndërmjet Zoran Zaevit dhe ish-kryeministrit grek Aleksis Cipras lidhur me ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit? Opinioni ka të drejtë të dijë nëse Zoran Bashanoviqi ka qenë i përfshirë në marrëveshje biznesi në sektorin energjetik dhe nëse ekzistojnë lidhje me kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme shtetërore.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
REXHEP QAMILI