Mickoski: Rikonstruimi i Qeverisë, në maj apo qershor
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë...

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë në muajt maj ose qershor, duke theksuar se atëherë do të vendoset për ndryshimet eventuale në përbërjen ministrore.
Sipas tij, partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE, VLEN dhe "E di" kanë një marrëveshje parimore dhe bashkëpunim të qëndrueshëm, ndërsa çështjet që lidhen me rikonstruimin do të diskutohen në periudhën në vijim.
I pyetur nëse ministri Fatmir Limani dhe Arben Fetai do të shkarkohen pas publikimit të një fotografie me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe pas pakënaqësisë së Fetait me zhvillimet në VLEN, Mickoski u përgjigj se të gjitha dilemat do të trajtohen në kuadër të procesit të rikonstruimit.
“Ne kemi një marrëveshje parimore si partnerë koalicioni në Qeveri, të tre strukturat politike, ato janë koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe partia politike "E di". Kemi paralajmëruar se në maj ose qershor do të kemi rikonstruim të vetë Qeverisë dhe sigurisht që shumë nga çështjet gjatë dhe para rikonstruimit do të vihen në tryezë dhe do të bisedojmë për to.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai gjithashtu theksoi se aktualisht nuk ka nevojë për zgjerim të koalicionit me subjekte të reja politike, duke vlerësuar se bashkëpunimi brenda shumicës është korrekt dhe funksional. (Florije Kamberi, TVM2)
