Botë

Tramp: Ndalim sulmet ndaj caqeve energjetike, realizuam bisedime “shumë të mira” me Iranin

23.03.2026 15:41

Uashingtoni dhe Irani kanë zhvilluar “biseda frytdhënëse” për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin në Lindjen e Mesme...

Uashingtoni dhe Irani kanë zhvilluar “biseda frytdhënëse” për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin në Lindjen e Mesme, ka deklaruar presidenti amerikan, Donald Tramp. Ai njëherësh ka njoftuar se do t’i “pezullojë të gjitha sulmet ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane” për një periudhë pesëditore. Sipas presidentit amerikan, bisedimet me Iranin do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.
 
“E kam udhëzuar Departamentin e Luftës që t’i pezullojë të gjitha sulmet ushtarake ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim.”, shkroi Trampi në rrjetet sociale.
 
Paraprakisht nuk ka pasur njoftime se po zhvilloheshin bisedime mes Uashingtonit dhe Teheranit. Garda Revolucionare Islamike e Iranit kishte thënë se “nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Trampin e as përmes ndërmjetësve”. Paraprakisht Teherani ka paralajmëruar se mund të godasë dhe shkatërrojë infrastrukturën kyçe në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë edhe sistemet thelbësore të furnizimit me ujë, nëse ShBA-ja vendos të zbatojë kërcënimet e bëra një ditë më parë nga Trampi, për sulme ndaj centraleve energjetike iraniane, në rast se Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet plotësisht brenda dy ditësh.
 
“Iluzioni për fshirjen e Iranit nga harta tregon dëshpërim përballë vullnetit të një kombi që krijon histori. Kërcënimet dhe terrori vetëm e forcojnë unitetin tonë. Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë, përveç atyre që shkelin territorin tonë. Ne përballemi me vendosmëri ndaj kërcënimeve në fushën e betejës.”, - deklaroi presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
 
Ndërkohë, ushtria izraelite bëri të ditur se dy raketat që ranë në jug të Izraelit, duke lënë mbi 150 të plagosur, ishin pasojë e dy defekteve të veçanta dhe të pavarura në sistemin e mbrojtjes ajrore.
 
“Priten edhe javë të tjera luftimesh kundër Iranit dhe Hezbollahut.  Çdo ditë që kalon, po e dobësojmë gjithnjë e më shumë regjimin terrorist. Nuk do të lejojmë që ky regjim dhe përfaqësuesit e tij të përbëjnë kërcënim për qytetarët izraelitë dhe shtetin e Izraelit.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Efi Defrin.
 
Tensionet në Lindjen e Mesme tronditin energjinë dhe tregjet globale
 
Nga ana tjetër, situata energjetike në nivel global, si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, konsiderohet gjithnjë e më kritike. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëron për rreziqe serioze dhe thekson se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për stabilizimin e tregut. Ndërkohë, janë duke u zhvilluar bisedime me qeveritë evropiane dhe aziatike për të shqyrtuar mundësinë e hedhjes në treg të rezervave shtesë të naftës, me qëllim zbutjen e krizës.
 
“Ne kemi shpallur disa masa për të ulur kërkesën, por në thelb përpiqemi të lehtësojmë barrën mbi ekonominë. Zgjidhja më e rëndësishme për këtë problem, në këtë moment, është hapja e Ngushticës së Hormuzit.”, - u shpreh kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.
 
Tregjet financiare në mbarë botën përballen me një valë të re pasigurie për të tretën javë me radhë. Rënia e bursave lidhet ngushtë me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës, si dhe retorikës së paparashikueshme dhe kërcënuese mes ShBA-së dhe Iranit, që shtojnë frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të krizës.
 
“Të gjithë kanë frikë se ekonomia globale do të zhytet në depresion, pasi çmimi i naftës vazhdon të rritet. Ndërkohë, oferta globale e naftës është ulur me 20 milionë fuçi në ditë. Bota nuk mund ta përballojë këtë.”, - deklaroi menaxheri financiar në Hong Kong, Francis Lun.
 
Në një klimë tensionesh të shtuara pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, policia në Londër po heton një sërë incidentesh të drejtuara ndaj komunitetit hebre, pasi disa automjete të shërbimit të ambulancës hebraike janë djegur. Autoritetet paralajmërojnë për një rritje të ndjeshme të sulmeve ndaj hebrenjve në mbarë botën.  
 
FARIJE DAUTI BAKIU