Maqedoni

Gjykata Penale – Shkup, 20 muaj burg për pronarin e “Besa Trans”

23.03.2026 16:28

Gjykata Penale e Shkupit e ka shpallur përsëri fajtor pronarin e kompanisë “Besa Trans”...

Gjykata Penale e Shkupit e ka shpallur përsëri fajtor pronarin e kompanisë “Besa Trans”, Bekim Haxhiu për falsifikim të certifikatës së licencës, duke i rikonfirmuar dënimin me 20 muaj burg, ndërsa kompania dënohet me 800 mijë denarë.
 
Prokurori Zoran Zravev në fjalët përfundimtare, kërkoi dënim me burg për Bekim Haxhiun dhe dënim për kompaninë “Besa Trans”, pasi autobusi i aksidentuar kishte kaluar kufirin me licencë të falsifikuar. Por, i akuzuari, Bekim Haxhiu, mohoi fajin, derisa avokati i tij, Asmir Alispahiq, tha se pronari nuk e ka ditur se do t’i kërkohet certifikata e licencës, pasi asnjëherë asnjë doganier nuk e ka kërkuar.
 
Ky rast ka të bëjë vetëm me akuzën për falsifikim të certifikatës së licencës për autobusin e aksidentuar në Bullgari në nëntor të vitit 2021, ku humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan. Palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit.