Tetovë, rinovohet shkolla e mesme “Mosha Pijade”
Në praninë e përfaqësuesve të pushtetit qendror...

Në praninë e përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe lokal u përurua objekti i rinovuar i shkollës së mesme rajonale “Mosha Pijade” në Tetovë. Kjo qendër tashmë përfaqëson një ndër institucionet më të avancuara për arsim profesional në rajon, duke ofruar mundësi më të mira për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, deklaroi kreu i Tetovës, Bilall Kasami.

“Nga sot bëj ftesë për të gjitha mediat dhe opinionin publik që këtë qendër shkollore të mos e identifikojnë më si një shkollë të mesme bujqësore, por ta njohin ashtu siç është sot – një ndër qendrat më të zhvilluara shtetërore dhe rajonale për arsim profesional. Tetova dhe rajoni i Pollogut kanë fituar një qendër rajonale ku fëmijët tanë mund të përgatiten për tregun e punës.”, - u shpreh kreu i Tetovës, Bilall Kasami.

“Banorët e Tetovës ndoshta e kujtojnë se si dukeshin këto ndërtesa vetëm disa vite më parë. Sot kemi një shkollë gjithëpërfshirëse, plotësisht moderne, ku do të mësohen profesione të ndryshme. Përveç arsimit formal, kjo qendër do të ofrojë edhe arsim joformal dhe informal për popullsinë më të moshuar. Kjo është një nga tetë qendrat rajonale që Maqedonia duhet të ketë. Shtatë tashmë janë shpallur këtë vit, ndërsa deri në fund të vitit do të shpallet edhe qendra e tetë në Shkup.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Në përurim mori pjesë edhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, i cili vlerësoi projektin si shembull të suksesshëm të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe institucioneve vendore.

“Dua të përgëzoj Qeverinë dhe kryetarin e komunës për punën që kanë bërë së bashku me ne. Ky është një shembull shumë i mirë se si fondet e BE-së dhe fondet publike mund të funksionojnë së bashku dhe të transformojnë një hapësirë që disa vite më parë ishte në rrënoja, në një shkollë teknike moderne. Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
Pavarësisht investimeve në infrastrukturë, siguria në shkolla mbetet shqetësuese. Edhe sot, disa shkolla të mesme dhe Universiteti i Tetovës kanë marrë kërcënime për bomba, duke ndërprerë procesin mësimor, ndërsa autoritetet ende nuk kanë identifikuar dërguesit e email-eve të rreme. (Visar Sadiku, TVM2)
