Botë
Intensifikohen sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës, Zelenski: ShBA-ja e fokusuar në Lindjen e Mesme
23.03.2026 17:40
Sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës nuk ndalen....

Sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës nuk ndalen. Mbi 200 dronë rusë kanë goditur disa rajone të Ukrainës, ndërkohë që dronët ukrainas kanë sulmuar portin më të madh rus të naftës në Baltik, Primorsk. Një instalacion karburanti u dëmtua dhe personeli u evakuua, ndërsa Zelenski paralajmëron se aktiviteti rus në disa zona është forcuar ndjeshëm.
“Çfarë ka më shumë rëndësi për mua është që familja ime është e gjallë. Të gjitha gjërat tona janë të shkatërruara dhe makina jonë është djegur. Çdo gjë për të cilën kemi punuar kaq shumë thjesht është shkatërruar.”, - tha një banor i zonës, Ukrainë.
“Një dron Shahed goditi shtëpinë, çatia u rrëzua, dritaret u thyen, tavani u shemb dhe garazhi u dëmtua.”, - u shpreh një banor i zonës, Ukrainë.
Presidenti ukrainas tha se takimet dyditore midis delegacionit ukrainas dhe përfaqësuesve të presidentit amerikan Tramp kanë shkuar mirë, por vëmendja e Uashingtonit aktualisht është zhvendosur në Lindjen e Mesme.
“Është e qartë se vëmendja kryesore e palës amerikane momentalisht është e përqendruar te Irani dhe rajoni përreth, por kjo luftë e Rusisë kundër Ukrainës duhet të përfundojë. Është e rëndësishme të sigurohet që agresori të mos shpërblehet për këtë luftë. Gjithashtu, duhet që askush prej nesh të mos detyrohet të kthehet në luftë pas disa muajsh ose viteve, që do të thotë se garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe për të gjithë Evropën duhet të jenë të mjaftueshme për paqen.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Përfaqësuesi i Kremlinit tha se Evropa ndodhet në një pozicion të vështirë, nuk është e gatshme për dialog me Rusinë dhe synon të vazhdojë konfliktin në Ukrainë, megjithëse, sipas tij, nuk ka një mënyrë të qartë për ta financuar luftën.
FARJIE DAUTI BAKIU
