Maqedoni
Tetovë, shënohet Dita e Ekologjisë
24.03.2026 13:49
Kasami së bashku me administratën komunale sot në ditën e ekologjisë kanë dalë nëpër rrugët e Tetovës...

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me administratën komunale sot në ditën e ekologjisë kanë dalë nëpër rrugët e Tetovës, duke i pastruar të njëjtat dhe për të dhënë një mesazh tek qytetarët që të kujdesen sa më shumë për ambientin jetësor.
“Kërkoj dhe lusim të gjithë qytetarët dhe ata të jenë pjesë e përmirësimit të ambientit publik dhe shëndetit publik me atë që fillimisht nuk do të hedhin mbeturina aty ku nuk e kanë vendin, por edhe duke larguar mbeturinat nga hapësirat publike. Kujdesi i pastërtisë publike nuk është vetëm i ndërmarrjeve, por edhe i çdo qytetari. Çdo ditë duhet të jetë ditë e pranverës, ditë e ekologjisë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Megjithatë, mendimet e qytetarëve për pastërtinë e qytetit mbeten të ndara. Disa prej tyre vlerësojnë se situata është përmirësuar, ndërsa të tjerë thonë se ende ka probleme në disa pjesë të qytetit.
“Shumë pastër është, asnjëherë nuk ka qenë kështu.”, - u shpreh një qytetar.
“Jo, nuk jemi. Shihe si janë bërë betonikat!”, - tha një qytetar.
“Mirë më duket, Nuk dal shumë në qytet, dy-tre herë në javë, por në përgjithësi mirë duket. Mundet të jetë më mirë, por mirë është.”, - tha një qytetar tjetër.
Ndërsa problem mbeten deponitë e egra dhe mbetjet inerte, të cilët qytetarët hedhin vend e pa vend. Kasami tha se dënimet duhet të jenë të larta dhe institucionet tjera, sidomos gjyqësori mos të lëshojë pe për ata që ndotin ambientin në hapësirat publike.
VISAR SADIKI
