Rajon
Republika e Kosovës, përkujtohet 27-vjetori i sulmeve të NATO-s
24.03.2026 14:44
Republika e Kosovës përkujton 24 marsin e vitit 1999..

Republika e Kosovës përkujton 24 marsin e vitit 1999, kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj Serbisë për ta ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore dhe memorialit të ushtarëve të rënë të NATO-s në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
“Më 24 mars 1999, përballë një tragjedie njerëzore nga veprimi gjenocidal i Serbisë, aleanca ushtarake më e fuqishme e botës demokratike ndërmori veprime vendimtare për të ndalur mizorinë e regjimit kriminal. Ky ishte një akt që i dha fund një epoke të errët dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe paqes. “NATO air, just do it” mbetet simbol i thirrjes për veprim në mbrojtje të vlerave universale, një thirrje që u dëgjua dhe u përkthye në vendim dhe përgjegjësi historike. Mirënjohje e përhershme për gra e burra të NATO-s, të cilët qëndruan në anën e drejtë të historisë.”, theksoi presidentja Osmani, duke shtuar se kjo ditë rikujton se liria dhe paqja kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm “dhe se, në momentet vendimtare, veprimi është ai që e përcakton historinë”.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë. Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.”, ka shkruar Haxhiu, duke shtuar se Kosova është përherë falënderuese për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, e ka cilësuar si një moment vendimtar që ndali masakrat dhe krimet sistematike të regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj popullit shqiptar.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që 24 marsi të shënohet si datë kombëtare e Kosovës. Bombardimet e NATO-s nisën më 24 mars 1999 pas autoritetet e atëhershme serbe nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviq, refuzuan të nënshkruajnë Marrëveshjen e Rambujës. Bombardimet zgjatën 78 ditë dhe përfunduan me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila parashihte largimin e forcave serbe, përkatësisht çlirimin e Kosovës.
GYLTENE SINANI
