Maqedoni
Çmimet e karburanteve, Mickoski: Dakordim me OKTA-n për ulje prej 3 denarësh
24.03.2026 15:09
Ulet çmimi i naftës për tre denarë....

Ulet çmimi i naftës për tre denarë. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se marrëveshja është arritur midis Ministrisë së Energjetikës dhe OKTA-s që në pikat e tyre të furnizimit të ketë ulje të çmimit të dizelit. Mickoski siguroi se nuk do të ketë kufizime të konsumit, sidomos për shtetasit e vendeve fqinje që vijnë e furnizohen me derivate nafte në vend.
“Nga sot do të kemi tre denarë ulje në të gjitha pikat e karburantit që janë klientë të OKTA-s. Nga këto çmime që janë maksimale, të vendosura dje nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, kemi tre denarë ulje, që do të thotë se aktualisht kemi çmime absolutisht më të ulëta të karburantit në Evropë.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
Filipçe kërkon pako ndihmash për qytetarët
Ndërkohë Qeveria ka aktivizuar gjendjen tridhjetë ditore të krizës për menaxhim të pandërprerë të importit të energjensave në vend, si dhe uli TVSh-në për karburantet në 10%. Për socialdemokratët kjo është e pamjaftueshme pasi mungojnë masa konkrete për kategoritë më të cenuara të qytetarëve. Filipçe propozon pako të veçanta për kategori të caktuara qytetarësh sikurse ndihmat direkte gjatë kohës së pandemisë.
“Konsideroj që Qeveria të pranojë masat tona që do të japin rezultat, që përveç uljes së TVSh-së për karburantet, të ulet TVSh-ja për produktet bazë ushqimore në zero për qind, të ulet akciza për 4 denarë dhe atëherë do të ketë një ulje reale të çmimeve që do ta ndiejnë qytetarët dhe kompanitë, pasi qytetarët nuk shohin benefit nga ulja e TVSh-së, pasi çmimet megjithatë u rritën. Me uljen e akcizës, çmimi i një litër karburant do të ulet. Nga kjo do të përfitojnë edhe kompanitë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
BDI: KRrE vepron në dëm të qytetarëve
Nga BDI drejtojnë akuza Komisionit Rregullator të Energjetikës se po zbaton një model të vjetruar, të bazuar në mesataren e javës së kaluar, në vend që të reagojë në kohë reale. Andaj kërkojnë çmimet e derivateve të përcaktohen dy herë në javë.
“Kjo praktikë shkon drejtpërdrejt në favor të interesave të caktuara biznesore, në dëm të qytetarëve. Për këtë arsye kërkojmë ndryshim të menjëhershëm të rregullores për përcaktimin e çmimeve, vendosjen e përllogaritjes së çmimeve të paktën dy herë në javë.”, - u shpreh Albana Mustafa nga BDI.
Ditë më parë KRrE ndryshoi rregulloren duke vendosur që çmimet e derivateve të përcaktohen edhe në baza ditore. Përllogaritja brenda ditës shtrenjtoi dizelin në 95.50 denarë.
MERAL ISMAILI
