Maqedoni

Debat në KNBE - RMV: Duhet të rivendoset besimi në institucione

24.03.2026 15:20

Trajtimi joselektiv i korrupsionit të nivelit të lartë është kyç për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione...

Trajtimi joselektiv i korrupsionit të nivelit të lartë është kyç për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione. Lufta efektive kundër korrupsionit kërkon digjitalizim urgjent, koordinim më të mirë ndërinstitucional dhe rezultate konkrete në hetimet financiare dhe konfiskimin e pasurisë, theksuan midis tjerash pjesëmarrësit në Konventën Kombëtare të BE-së në RMV me temën "Kapacitetet institucionale për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut: “Perspektivat evropiane dhe praktikat kombëtare". Pjesëmarrësit  theksuan se suksesi varet si nga kuadri ligjor, ashtu edhe nga kapacitetet njerëzore.
 
“Të dhënat e fundit të muajit dhjetor kanë treguar se 36 për qind të qytetarëve u është kërkuar mito, ndërsa 31 për qind prej tyre kanë dhënë. Nëse institucionet i kapin të gjitha këto, tregojnë se rreth gjysmë milion njerëz duhet të përfundojnë në bankën e të akuzuarve. Por, ne duhet të koncentrohemi aty ku janë shumat e mëdha të parave, dhe në këtë mënyrë ne duhet të demonstrojmë vendosmëri, se nuk ka person të paprekur dhe ta kthejmë besimin e qytetarëve.”, - deklaroi bashkëkryesuesi i Konventës Nacionale, Aleksandar Kërzhallovski. 
 
“Do ta filloja me thënien e Makiavelit, i cili korrupsionin e quajti “Sëmundje morale e shoqërisë”. Kjo tregon se kemi individë që akoma interesin e tyre e vendosin para të mirës kolektive. Korrupsioni dobëson shtetin dhe në shoqëri fillon të trajtohet si normale, kur institucionet nuk intervenojnë. Unë jam krenar që si institucion po ngremë procedura dyshimi edhe ndaj funksionarëve aktualë. Ne duhet ta kthejmë besimin e qytetarëve dhe t’i inkurajojmë që t’i paraqesin rastet korruptive. Secili funksionar duhet të ketë frikë nga ligji dhe nga fleta se çfarë përmban.”, - theksoi drejtori i Departamentit të Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski. 
 
Sipas të pranishmëve, qytetarët nuk paraqesin korrupsionin, sepse kanë frikë nga pasojat të cilat mund t’i kenë nga individët e paraqitur, dhe jo nga ligji. 
 
FITIM KRYEZIU