Maqedoni

Gjykata Kushtetuese, Kostadinovski: Më mirë e mbyllur se sa me Badinter

24.03.2026 15:37

Kostadinovski edhe një herë rikonfirmoi se është kundër vendosjes së mekanizmit të badinterit në Gjykatën Kushtetuese...

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, edhe një herë rikonfirmoi se është kundër vendosjes së mekanizmit të badinterit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, më mirë të mbyllet Gjykata Kushtetuese sesa të vendoset mekanizmi i Badinterit. Ai theksoi se një mekanizëm i tillë mund të jetë i përshtatshëm për politikën, por jo për organet gjyqësore.
 
“Unë qëndrimin tim e kam thënë. Një mekanizëm i tillë është adekuat për organ politik, siç është Kuvendi dhe është mekanizëm i shëndoshë. Por, në një institucion siç është Gjykata Kushtetuese, që është institucion i pastër juridik, vendosja e mekanizimit, ndoshta isha brutal, por kam thënë se më mirë është të mbyllet institucioni se sa të vendoset një mekanizëm i tillë. Kjo sepse në rast të tillë nuk do të vendosin argumentet kushtetuese-juridike, por vendosin argumente të tjera.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
 
Ligji për përfaqësim të drejtë, Mickoski: Javën e ardhshme kalon në Qeveri
 
Ndërkohë kryeministri Hristian Mickoski njoftoi se në seancën qeveritare javën e ardhshme do të kalojë Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sa i përket sistematizimit të paralajmëruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mickoski siguron se do të realizojnë përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
 
“Kemi nevojë për sistematizim të ri në shumë institucione. Ky është një proces normal që duhet të ndodhë, sepse me kohën ndryshojnë nevojat dhe zakonet. Që do të ketë përfaqësim të drejtë askush të mos ketë shqetësim, përfaqësim të drejtë do të ketë. Ligjin, javën e ardhshme në seancë qeveritare do ta kalojmë, mori mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias  dhe do të jetë para deputetëve. Ne nuk e kemi për qëllim që si qeveri të politizojmë diçka që është e drejtë kushtetuese dikujt, këtu të mos keni dilemë.”, - theksoi kryeministri, Hristian Mickoski.
 
Këto komente u bënë me rastin e konferencës kushtuar Ankesës Kushtetuese. Nevoja për një ligj të veçantë për Gjykatën Kushtetuese dhe vendosjen e ankesës kushtetuese, kërkon edhe ndryshime kushtetuese. Megjithatë, kryeministri Hristian Mickoski tha se edhe pse e mbështet reformën institucionale Qeveria nuk po e shqyrton hapjen e Kushtetutës, pasi që sipas tij kushtet politike për këtë nuk janë përmbushur.
 
FLORIJE KAMBERI