Botë
Lindja e Mesme, Izraeli vazhdon sulmet ndaj Iranit dhe Libanit
24.03.2026 15:47
Izraeli nuk heq dorë nga arritja e objektivave të tij ushtarake në Iran dhe Liban....

Izraeli nuk heq dorë nga arritja e objektivave të tij ushtarake në Iran dhe Liban. Pas një bisede telefonike mes Trampit dhe Netanjahut, kryeministri izraelit tha se nuk do të ketë pauzë në luftime, edhe pse presidenti amerikan shtyu sulmet ndaj centraleve elektrike iraniane dhe zgjati afatin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit me pesë ditë.
“Presidenti Tramp beson se ekziston mundësia për të shfrytëzuar arritjet e rëndësishme të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe ushtrisë amerikane për të përmbushur objektivat ushtarake përmes një marrëveshjeje që mbron interesat tona jetike. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë sulmet, si në Iran ashtu edhe në Liban.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Presidenti Tramp tha se ShBA-ja dhe Irani janë duke zhvilluar diskutime shumë të mira që mund të çojnë në një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.
“Shpresoj që mund të arrijmë një marrëveshje që është e mirë për të gjithë ne, përfshirë aleatët tanë në Lindjen e Mesme, të cilët kanë qenë shumë të mirë ndaj nesh, përfshirë Izraelin, që ka qenë një partner i shkëlqyer në këtë luftë. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se ka shumë gjasa të mëdha që të arrijmë një marrëveshje. Prandaj u japim pesë ditë dhe pastaj do të shohim ku do të na çojë kjo.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, Teherani mohon çdo bisedim dhe deklaron se presidenti amerikan po tërhiqet pas paralajmërimeve të tyre, duke u përpjekur të qetësojë tregjet financiare me lajme të rreme.
“Nuk janë zhvilluar asnjë negociata me ShBA-në, dhe lajmet e rreme përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të naftës, si dhe për të shmangur situatën e vështirë në të cilën ndodhen ShBA-ja dhe Izraeli.”, - theksoi kryetari i Parlamentit-Iran, Mohamad Bagher Ghalibaf.
Ndërkohë që lufta ka hyrë në javën e katërt, shefi i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane deklaroi se është vërejtur një ulje e sulmeve iraniane në Lindjen e Mesme. Në kushtet e krizës energjetike, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, bëri thirrje që Uashingtoni dhe Teherani të ndalin armiqësitë dhe të ulen në tryezën e bisedimeve.
“Situata është kritike për furnizimin me energji në mbarë botën. Të gjithë po ndiejmë pasojat në çmimet e gazit dhe naftës, në bizneset tona dhe shoqëritë tona. Por, më e rëndësishmja është të arrijmë një zgjidhje. Kjo do t’i japë fund armiqësive që po shohim në Lindjen e Mesme.”, - u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Sipas mediave izraelite, ShBA-ja ka caktuar 9 prillin si një datë të mundshme për përfundimin e luftës me Iranin.
FARIJE DAUTI BAKIU
