Rajon

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e zgjidh bllokadën për presidentin

25.03.2026 12:12

Dula tha se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga parashtruesit e kërkesës....

Ndërsa kanë mbetur edhe shtatë ditë derisa Gjykata Kushtetuese duhet të marrë vendim lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Veton Dula, tha se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga parashtruesit e kërkesës.
 
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.”, tha Dula.
 
Gjykata Kushtetuese gjendet përpara dy skenarëve mbi të cilët do ta marrë vendimin e saj deri më 31 mars sa i përket dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, në rastin e kërkesës së kryeministrit Albin Kurti dhe të grupit parlamentar të LVV-së: Ta shpallë dekretin e presidentes kushtetues, duke konstatuar se presidentja ka vepruar brenda kompetencave të saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe automatikisht vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Në rastin e dytë, nëse dekreti i presidentes shpallet jokushtetues, atëherë ai anulohet dhe Kuvendi konsiderohet ende funksional për të vazhduar punimet aty ku kanë mbetur, duke u dhënë afat 60 ditë deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri. Presidentja kishte nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues 30-ditor.