Maqedoni

KPMD ka punuar 559 raste të diskriminimit në vitin 2025

25.03.2026 14:11

Në vitin 2025 janë punuar gjithsej 559 raste për mbrojtje nga diskriminimi

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në vitin 2025 ka punuar gjithsej 559 raste për mbrojtje nga diskriminimi, nga të cilat 448 ishin raste të reja të hapura gjatë vitit 2025 dhe 111 raste të bartura nga viti i kaluar 2024. Në Raportin e këtij Komisioni, thuhet se sa i përket fushave, më shumë ankesa u paraqitën për mbrojtje nga diskriminimi në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës, në fushat e arsimit, shkencës dhe sportit, qasjes në mallra dhe shërbime, dhe informacionit publik dhe mediave. Sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ka shumë institucione të cilat nuk kanë reaguar, ose më mirë thënë nuk kanë përfillë rekomandimet e këtij institucioni.
 
“Ka institucione të cilat nuk kanë reaguar ndaj rekomandimeve tona, ndërsa ne kemi përdorur edhe mekanizmat e përkujtimit apo edhe duke kryer një presion mediatik, me të vetmin qëllim që t’i shtyjmë të veprojnë. Por, nëse edhe pas kësaj nuk veprojnë, pason padi për kundërvajtje para organeve juridike, ku më pastaj aty shqiptohen disa dënime.”, - deklaroi kryetari i KPMD-së, Dushan Tomshiq.
 
Por, sipas raportit të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucionet akoma mbesin si diskriminuesit më të mëdhenj të një shoqërie në vendin tonë. 
 
“Akoma diskriminuesit më të shpeshtë të identifikuar mbeten institucionet e shtetit. Dhe në këtë drejtim kemi një rritje në krahasim me vitin 2024. Kur jemi tek institucionet, diskriminuesit më të mëdhenjë janë Ministritë, pastaj pasojnë komunat dhe objektet arsimore, por gëzon fakti se kemi më pak diskriminime në sektorin privat.”, - theksoi anëtari i KPMD-së, Igor Jadrovski.
 
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nga 31 dhjetori i vitit 2025 lëshoi gjithsej 359 vendime për raste për mbrojtje nga diskriminimi, nga të cilat 151 janë mendime pas një procedure për përcaktimin e diskriminimit dhe 208 janë përfundime që hedhin poshtë ankesën. Nga rastet për të cilat KPMD-së dha një mendim pas një procedure për përcaktimin e diskriminimit, diskriminimi u përcaktua në 56 raste dhe në 95 raste nuk u përcaktua diskriminimi. 
 
FITIM KRYEZIU