Maqedoni
Në Klinikën e Onkologjisë ka mungesë të disa terapive të kancerit
25.03.2026 14:46
Gjendja me ilaçet për pacientët onkologjikë është e ngjashme si vitet e kaluara...

Gjendja me ilaçet për pacientët onkologjikë është e ngjashme si vitet e kaluara. Nga shoqata “Hema Onko” thonë se problemi është tek planifikimi jo i rregullt, si dhe rritja e numrit të pacientëve me sëmundje të kancerit. Sipas tyre, pacientët shqetësohen se mungesa e terapisë adekuate do t’u shkaktojë probleme shëndetësore dhe do t’ua rrezikojë jetën.
“Për momentin në klinikë mungojnë disa ilaçe për pacientët, disa të tjera janë nga fundi. Po ashtu ka mungesë të terapisë hormonale të kancerit. Tenderi ende nuk është shpallur. Është paraqitur edhe mungesë e terapisë phezgo megjithatë, këto kompensohen nga një marrëveshje aneks që bëri Klinika e Onkologjisë, por do ta kemi përsëri këtë në klinikë pas disa ditësh.”, - deklaroi Ana Marjanoviq, “Hema Onko”.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, ka potencuar se po ndërmerren hapa konkretë për të stabilizuar furnizimin me terapi kryesore dhe për të përmirësuar shërbimet për pacientët me sëmundje të kancerit. Ai thekson se numri në rritje i pacientëve me sëmundje malinje, si dhe rezultatet e përmirësuara nga terapitë, ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e konsumit të barnave.
VLORA LATIFI TOPOJANI
