Maqedoni
Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Në maj/qershor, bisedime të hapura
25.03.2026 14:51
Rikonstruimi i mundur i Qeverisë mbetet të zhvillohet në qershor....

Rikonstruimi i mundur i Qeverisë mbetet të zhvillohet në qershor. Bisedimet me partnerët e koalicionit mund të nisë pak më herët për të qartësuar ndryshimet kadrovike. Kryeministri nuk përjashton mundësinë që të ketë edhe rrotacione në poste ministrore.
“Nuk kemi biseduar pasi që partnerët e koalicionit, por edhe VMRO – DPMNE kanë rikonstruime të brendshme. Unë pres që në maj, qershor të ulemi dhe të bisedojmë, dhe absolutisht do të bisedojmë haptazi në të gjitha temat se kush nga kuadrot dështuan e kush jo, kush duhet të ndërrohet e kush jo, kush duhet të ketë rrotacion e kështu me radhë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Emrat më të përfolur në opinion që mund të shkarkoheshin janë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për shkak të pakënaqësive brenda partisë. Nuk përjashtohet as zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, për shkak të përplasjeve brenda bllokut politik shqiptar në Qeveri. I rrezikuar paraqitet edhe ministri I Drejtësisë, Igor Fillkov, për shkak të performancës së tij ndaj çështjeve etnike.
Mexhiti: Do të shqyrtohet puna e ministrave
Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, është shprehur se rikonstruimi nuk është temë diskutimi brenda koalicionit. Në momentin kur do të ndodhë rikonstruimi, Mexhiti thotë se do të ketë një lloj rishqyrtimi për secilin ministër.
“Jo vetëm për këto të dy (Fetain e Limanin), por edhe për të tjerët, pasi që nuk janë pozita të përhershme. Edhe unë isha zëvendëskryeministër, tash jam kryetar komune, ashtu që politika është dinamike. Për momentin 90% e energjisë dhe e fokusit është mbi VLEN-in.”, - u shpreh Izet Mexhiti.
Koalicioni VLEN tanimë është në proces të konsolidimit në një parti. Në maj do të zhvillohet kongresi i bashkimit të një partie politike me shkrirjen e të gjitha subjekteve brenda saj.
MERAL ISMAILI
