Maqedoni

Gjykimi për tragjedinë "Puls", dëgjohen dëshmitarë të Prokurorisë

25.03.2026 15:34

Gjykimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë....

Gjykimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj, vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë. Avokatët e 35 të akuzuarve nuk u pajtuan që Prokuroria të tërheqë 12 dëshmitarë të propozuar, kështu që u vendos të tërhiqen vetëm 4 dëshmitarë, me qëllim mos përsëritjen e deklaratave.
 
Dëshmitari Dragi Ilijevski, inspektor ndërtimor në Komunën e Koçanit, tha se objekti ku ndodhi tragjedia ishte në zonë për industri të lehtë dhe jo ndotëse. Në pyetjen e prokurorit Darko Jakimovski, dëshmitari u përgjigj se sipas planit të detajuar urbanistik të Koçanit, për objektin industrial nuk ishte bërë ndryshim destinimi. Dëshmitari shtoi se pikërisht pranë atij objekti po ndërtonin rrugë, ujësjellës dhe të ngjashme, por nuk kishin vërejtur aktivitete ndërtimore aty dhe për këtë arsye fillimisht nuk ndjenë nevojë të dërgonin inspektim ndërtimor. Ilijevski tha se, pas disa informacioneve se aty do të bëhej diskotekë, ata e anuluan vendimin për parkim të lejuar për industri të lehtë. Tha se kishin kërkuar përgjigje nga Ministria e Ekonomisë dhe Inspektorati i Tregut, por nuk kishin marrë kurrë përgjigje. Pas kësaj, u tërhoqën, pasi si inspektim ndërtimor nuk kishin kompetencë për të kryer kontrolle të tilla.
 
"Më pas njoftuam edhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Kryetari i atëhershëm i komunës, Ratko Dimitrovski, kishte të njëjtat informacione, ndaj më 19.10.2012 pyeti Ministrinë e Ekonomisë nëse ishte paraqitur kërkesë dhe nëse ishte dhënë licencë për diskotekë në atë objekt. Përgjigje nuk morën. Më 06.11. ai dërgoi kërkesë në Inspektoratin e Tregut që të mos i jepet licencë ‘Klasik DM’-së për diskotekë.", - tha dëshmitari.
 
Dëgjimi i dëshmitarëve vazhdon, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së ish-zyrtarëve. Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan të pafajshëm. 
 
FLORIJE KAMBERI