Botë

Tensionet në Lindjen e Mesme, ShBA shpall fitore ndaj Iranit, Irani, ironizon me negociatat e Trampit

25.03.2026 15:39

ShBA-ja pretendon se e kanë fituar “luftën” kundër Iranit dhe se Teherani ka rënë dakord që kurrë të mos ketë armë bërthamore....

ShBA-ja pretendon se e kanë fituar “luftën” kundër Iranit dhe se Teherani ka rënë dakord që kurrë të mos ketë armë bërthamore. Shtëpia e Bardhë shton se diplomatët kryesorë, Nikolas Vëns dhe Marko Rubio, janë në bisedime me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit. Përmes Pakistanit, ShBA-ja i ka dorëzuar Iranit një plan paqeje me 15 pika, i ngjashëm me ato që kanë përdorur më parë në Gazë dhe Liban.
 
“Në këtë moment jemi në bisedime dhe mund t’ju them se ata shumë do të donin të arrihet një marrëveshje. Kush nuk do të donte? Mund të bëjmë çfarë të duam, por u ndaluam për shkak të bisedimeve. Nuk dua të flas paraprakisht, por ata ranë dakord që kurrë nuk do të kenë armë bërthamore.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i hedhin poshtë deklaratat e Trampit, duke pyetur me ironi, nëse presidenti Tramp bën “negociata me veten”. Teherani e quan të dështuar strategjinë amerikane të luftës.
 
“Fuqia strategjike për të cilën folët është shndërruar në dështim strategjik. Nëse do të ishit vërtet një superfuqi, tashmë do të kishit gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë. Mos e quani dështimin tuaj, marrëveshje. Koha për premtimet tuaja ka mbaruar. A kanë shkuar kontradiktat tuaja kaq larg sa tani po negocioni me veten?”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Iraniane, kolonel Ebrahim Zolfagari.
 
Edhe Tel Avivi i hedh poshtë deklaratat e Trampit për negociata, duke u shprehur se vazhdojnë me operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
 
“Nuk jam i informuar për pjesëmarrjen tonë në këto bisedime. Ndërsa flasim, Izraeli dhe ShBA-ja vazhdojnë të synojnë objektiva ushtarake në Iran dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne e dimë që çdo konflikt në fund përfundon me diplomaci. Dhe do të sigurohemi që Irani të mos ketë kapacitete bërthamore apo raketa balistike dhe që të arrihen objektivat e vendosura një muaj më parë.”, - theksoi ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Deni Danon.
 
Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk, paralajmëroi se konflikti me Iranin ka “fuqi të pashembullt për të tërhequr vendet përtej kufijve” dhe bëri thirrje për një fund të armiqësive.
 
“Dinamikat komplekse mund të ndezin në çdo moment një krizë kombëtare, rajonale apo globale, me pasoja të tmerrshme për civilët dhe njerëzit kudo. Mënyra e vetme e garantuar për ta parandaluar këtë është të mbarojë konflikti, dhe u bëj thirrje të gjitha shteteve, veçanërisht atyre me ndikim, të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyrepër ta arritur këtë.”, - u shpreh koordinatori i lartë i OKB-së për Ndihmën Humanitare, Volker Turk.
 
Izraeli përpiqet të sabotojë përpjekjet diplomatike për paqe, thotë presidenti turk Erdogan.
 
“Nuk duhet lejuar që qëndrimi maksimalist, radikal dhe pa kompromis i Izraelit të sabotojë zgjidhjet diplomatike. Asnjë vend që vlerëson paqen dhe stabilitetin botëror nuk duhet t’i fryjë zjarrit që Izraeli padrejtësisht e ka ndezur në rajonin tonë.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Edhe Spanja e cilësoi sulmin e ShBA-së dhe Izraelit “të paligjshëm”, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të dëmshëm për ekonominë globale dhe atë spanjolle. 
 
“Do të kërkojmë që kjo luftë të ndalet, sepse nuk është e drejtë që disa të ndezin botën, ndërsa të tjerët duhet të përtypin hirit. Nuk është e drejtë që spanjollët dhe evropianët e tjerë të paguajnë faturën e kësaj lufte të paligjshme nga xhepat e tyre.”, - theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançes.
 
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme më e prekur është Jug-Lindja e Azisë, e cila përballet me mungesë karburanti dhe rritje çmimesh, ndërsa Filipinet janë vendi i parë në botë që kanë shpallur gjendje emergjente.
 
“Sa më gjatë të zgjasë kriza, aq më e thellë do të bëhet dhe është shumë e mundshme që edhe vende të tjera në rajon mund ta ndjekin këtë shembull.”, - u shpreh drejtori i përgjithshëm i Institutit për ndryshimin e Energjisë, Putra Adiguna.
 
Konflikti që nisi në fund të shkurtit me sulme nga ShBA–Izrael ndaj Iranit, ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës dhe gazit në të gjithë botën për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe sulmeve ndaj objektivave energjetike në Gjirin Persik.
 
FARIJE DAUTI BAKIU