Maqedoni
Forcohet Armata me automjete “Stryker”, thellohet partneriteti me ShBA-në
25.03.2026 15:53
Kapacitetet e Armatës së vendit u përforcuan me 17 automjete të lehta të blinduara “Stryker”...

Kapacitetet e Armatës së vendit u përforcuan me 17 automjete të lehta të blinduara “Stryker”, duke rritur dhe modernizuar pajisjet ushtarake tokësore. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, vlerëson lartë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes duke njoftuar se dhe shumë marrëveshje të tjera me ShBA-në në sektorin e mbrojtjes janë miratuar në Kuvend. Misajllovski thotë se edhe si anëtare e NATO-s, edhe si shtet po kontribuojmë në sigurinë e rajonit dhe të aleancës.
“Tani kanë arritur 17 “Stryker”, ndërsa pjesa tjetër pritet të arrijë deri në mesin e verës. Do të vazhdojmë me gjithçka që lidhet me modernizimin tonë. Do të ketë vazhdimisht projekte të tilla. Jam mirënjohës që pas nesh mund të shihni edhe mjete të tjera që në të kaluarën kanë qenë në garazhe, por falë projektit me ShBA-në i kemi vënë në funksion. Në periudhën e ardhshme presim armatime shtesë, pajisje të reja, dronë, pajisje për njësitë speciale dhe shumë projekte të tjera.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Kryeministri Mickoski thotë se shteti ka siguruar buxhetin më të lartë ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes, duke siguruar dhe aleatët se Maqedonia e Veriut do t’i përmbushë të gjitha kriteret që kërkohen të plotësohen deri në vitin 2032.
“Ne si Qeveri do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të investojmë në Armatën tonë. Synojmë të kemi pajisje plotësisht të reja dhe moderne, natyrisht brenda mundësive të buxhetit dhe në përputhje me të gjitha kriteret që kërkohen të përmbushen deri në vitin 2032. Ajo që tani konsiderohet minimum, ne tashmë jemi shumë mbi atë minimum.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ushtruesja e detyrës së ambasadores së ShBA-së në vend, Nikol Berns, deklaroi se kjo është një ditë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, për NATO-n dhe për sigurinë e përbashkët. Sipas saj, përmes programit amerikan për shitje ushtarake jashtë vendit, Maqedonia e Veriut përfiton jo vetëm sisteme të avancuara dhe ndërvepruese, por edhe trajnime për përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Maqedonia e Veriut po bën një hap të dukshëm përpara në modernizimin e forcave të saj ushtarake dhe në forcimin e rolit të saj në Aleancë. Ky program, i bashkëfinancuar nga Maqedonia e Veriut dhe ShBA-ja, përmes financimit për ushtri të huaja, tregon se çfarë mund të arrijmë kur investojmë së bashku në mbrojtjen kolektive.”, - u shpreh ushtruesja e detyrës ambasadore e ShBA-së në RMV, Nikol Berns.
Deri më tani janë dorëzuar të gjitha automjetet JLTV – gjithsej 96, ndërsa në këtë ngjarje u prezantua dërgesa e parë e automjeteve “Stryker”, 17 nga gjithsej 42 të planifikuarat.
FITORE NAGAVCI
