Maqedoni
Tregu energjetik, Mickoski: Gjendja me energjinë është nën kontro
25.03.2026 18:02
Tregu energjetik është dinamik...

Në periudha të caktuara, kur çmimi i energjisë në bursë është zero ose madje negativ, është logjike që të merret ajo energji në vend që të shpenzohen rezervat vendore, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur akuzave të BDI-së, e cila pretendoi se po blihet energji elektrike për nevojat bazë, duke lënë të kuptohet se shteti po përballet me mungesë të këtij burimi.
Mickoski shtoi se ka komunikim të përditshëm me drejtuesit e EMV-së dhe se marrëveshjet që janë bërë nga LSDM dhe BDI tashmë i përkasin së kaluarës.
“Gjatë orëve të natës eksportohen, përkatësisht shiten në bursë, rreth 850 megavat-orë, gjë që çdo ditë i sjell kompanisë një vlerë të shtuar prej 100 deri në 150 mijë euro. Natyrisht, ka periudha gjatë vitit kur importohet energji elektrike dhe periudha kur ajo eksportohet... Borxhet që ishin karakteristike për qeverinë LSDM-BDI, si dhe transferet nga buxheti prej 150–200 milionë euro që përfundonin në kompani me marrëveshje të dyshimta biznesi dhe në furnizimin me mazut, apo kompanitë e krijuara menjëherë që sillnin qymyr nga vendet fqinje me çmime 30–50 për qind më të larta, janë tashmë në të kaluarën”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
LSDM: Masat e qeverisë të vonuara, çmimet rriten
LSDM ka qëndrimin se masat e qeverisë janë të vonuara dhe nuk japin efekt. Sipas LSDM-së, çmimet po rriten në mënyrë të vrullshme, ndërsa qeveria refuzoi ta rrisë pagën minimale në 600 euro, gjë që sipas tyre godet drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve.
“Kjo bëhet me qëllim për të mbrojtur bizneset private... Problemi për qytetarët tashmë është këtu – është aktivizuar spirala e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Vaji i gatimit është mbi 100 denarë, vezët mbi 300 denarë, frutat dhe perimet mbi 100 denarë për kilogram, mishi tashmë është shtrenjtuar. Gjithçka është më e shtrenjtë, çmimet rriten, ndërsa pagat nuk lëvizin”, theksoi zëdhënësja e LSDM- së, Bogdanka Kuzeska
Qeveria në dhjetor mori një vendim me të cilin vuri në dispozicion 3.200 tonë mazut, të cilat do të përdoren sipas nevojave të sistemit energjetik.
ARMEND MURSELI
