Maqedoni

Kuvend, shtrenjtimi i ushqimeve, Spasovski: A do të marrë masa Qeveria?

26.03.2026 14:08

Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, në seancën e sotme parlamentare...

Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve iu drejtua ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, në lidhje me rritjen e çmimeve dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve.
 
Ai pyeti ministrin se a do të ndërmarrë Qeveria masa, pasi, siç tha, vendi po përballet me një rritje serioze të çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe të derivateve, gjë që, sipas tij, ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe në buxhetet familjare.
 
“Po përballemi me një shtrenjtim vërtet serioz, brutal të çmimeve të produkteve ushqimore, veçanërisht të produkteve bazë ushqimore. Vaji ka qenë 74 denarë, ndërsa tani është nga 93 deri në 118; kafja ka qenë 104 denarë javën e kaluar, ndërsa tani është nga 120 deri në 140 denarë; mishi i grirë ka qenë rreth 638 denarë, ndërsa tani është nga 730 deri në 849 denarë; mishi i pulës ka qenë 376 denarë, ndërsa tani është nga 401 deri në 493 denarë; qumështi ka qenë 56 denarë, ndërsa tani është nga 67 deri në 78 denarë; vezët kanë qenë 103 denarë, ndërsa tani shkojnë deri në 148 denarë.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Durmishi: Masat e Qeverisë po japin rezultate
 
Pyetjes së deputetit Oliver Spasovski për rritjen e çmimeve të produkteve bazë u është përgjigjur Durmishi. Sipas tij, masat që Qeveria ka ndërmarrë kohët e fundit për stabilizimin e çmimeve po japin rezultate.
 
“Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës po monitorojmë me përgjegjësi situatën me çmimet e produkteve bazë. Me kushte të pasigurisë së shtuar që ndodhin në tregjet botërore si Qeveri reaguam me vendosmëri duke ulur tatimin mbi vlerën e shtuar për naftën nga 18% në 10%. Duke vepruar kështu kemi demonstruar qartë që jemi duke punuar dhe mbrojtur interesin e qytetarëve pikërisht në këtë kohë ku ka krizë në të gjithë globin.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Durmishi tha se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka 30 ekipe mobile që mbikëqyrin zinxhirin e tregtisë dhe deri tani nuk janë konstatuar rritje të jashtëzakonshme çmimesh. Ai paralajmëroi se nuk do të tolerohen rritje të paarsyeshme çmimesh ose fitimesh dhe do të reagojnë menjëherë ndaj shenjave të tilla.
 
Ndërkohë edhe ekspertët rekomandojnë uljen e akcizave dhe forcimin e kontrollit antimonopol dhe të inspektimeve.
 
ARMEND MURSELI