Maqedoni
Badinteri në Gjykatën Kushtetuese, Gashi: Nuk duhet të shihet si tabu temë
26.03.2026 14:44
Çështja e vendosjes së institutit “ankesë kushtetuese” dhe ndryshimeve eventuale...

Çështja e vendosjes së institutit “ankesë kushtetuese” dhe ndryshimeve eventuale kushtetuese është një çështje e pastër politike për të cilën nevojitet konsensus prej dy të tretave të deputetëve, vlerëson kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Ai theksoi se nuk e mbështet hapjen parciale të aktit më të lartë juridik, duke thënë se kjo do të nxisë kërkesa të reja dhe tensione politike. Sa i përket idesë për zbatimin e parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese, Gashi thekson se tema nuk duhet të jetë tabu, por duhet të shqyrtohet me kujdes, si nga politika ashtu edhe nga ekspertët, me fokus në rolin e gjykatës në mbrojtjen e kushtetutshmërisë.
“Mbi të gjitha duhet ta kemi parasysh që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale dhe të jetë cilësore në sjelljen e vendimeve për çfarë është formuar ajo, në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës dhe kushtetueshmërisë së sjelljes së ligjeve në vendin tonë. Prandaj, mendoj se nuk duhet asnjë temë të paragjykohet, duhet të shihet se një mënyrë e funksionimit a sjell dobi apo jo, jo të kemi paragjykime prej në fillim.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Ndërkohë, Kuvendi po vijon me ritëm të përshpejtuar agjendën reformuese. Aktualisht janë në shqyrtim ligji për prokurorët publikë dhe ai për Këshillin e prokurorëve publikë, ndërsa priten edhe propozime të tjera nga Qeveria.
“Presim që nga Qeveria duke parë fokusin dhe angazhimin e tyre që janë të fokusuar ta përshpejtojnë këtë procedurë. Presim që brenda këtyre muajve të përshpejtohet kjo dhe Kuvendi, ne kemi qenë mjaft ekspeditiv dhe do ta mbajmë fokusin te agjenda reformuese dhe besoj që do të votohen në mënyrën më të shpejtë dhe më cilësore të mundshme, ashtu siç e kërkon edhe BE.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Gashi shton se çështjet kadrovike në pushtetin ekzekutiv do të hapen vetëm pas përfundimit të procesit të bashkimit të koalicionit VLEN në një parti të vetme. Ndërsa, për momentin, në Kuvend nuk ka sinjale për formimin e grupeve të reja parlamentare.
ERSAN PAJAZITI
