Maqedoni
Përfaqësimi i drejtë, Rexhepi kërkoi stopim të diskriminimit institucional
26.03.2026 15:02
Çështjet etnike, si përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucione...

Çështjet etnike, si përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucione dhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, temë debati në Kuvend.
Në seancën pyetje të deputetëve, deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, kërkoi përgjigje nga kryeministri se kur do të ndalet, sipas tij, diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, duke marrë shembull largimet e paralajmëruara në Ministrinë e Brendshme.
“Do ta pësojë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. Kjo është e dhimbshme. Ky është realiteti që vazhdimisht vazhdon të bëhet temë, një çështje e tillë edhe pse s’kemi nevojë fare të merremi me çështje etnike. Duhet të mbyllen këto çështje, por nuk duan të mbyllen, sepse elektorati ka nevojë për fitoren ndaj shqiptarëve.”, - deklaroi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.
Deputeti Rexhepi kërkoi nga kryeministri të bëhet shembull i respektimit të shqipes si gjuhë zyrtare duke parandaluar kështu përçarjen ndëretnike.
“Nëse njohja e gjuhës maqedonase është e detyrueshme, pse atëherë ka nevojë deputetëve t’u përkthehet në gjuhën shqipe për fjalimet në maqedonisht. Ku është logjika? Atëherë i bie që deputetët nuk e kanë obligim ta njohin gjuhën maqedonase, por mjafton me njohjen e një gjuhe që është zyrtare në Kushtetutë, ajo është gjuha shqipe.”, - theksoi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.
Mickoski: Propozim-ligji para deputetëve, në prill
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se propozim-ligji për përfaqësim të drejtë në prill do të jetë në Kuvend dhe pret nga deputetët që ta votojnë. Ai theksoi se gjuha maqedonase është zyrtare, edhe pse nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe në bazë të mundësive që ofron Kushtetuta. Mickoski u shpreh fans i mësimit të gjuhës shqipe për ta kuptuar në të ardhmen.
“Unë nuk kam asgjë kundër, e as dikush në sallë ka kundër gjuhës shqipe, por duhet të dihet se gjuhë zyrtare në këtë shtet është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik. Edhe për përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Kështu është sipas Kushtetutës, nëse e lexojmë drejtë. Sa i takon propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë shpresoj se në muajin prill do të vijë para deputetëve, do të mund ta votoni ose jo.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ligji i gjuhëve, Rexhepi dhe Mickoski në kundërshtim për shqipen
Ligji për përfaqësim të dejtë dhe adekuat ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venedikut në dhjetor të vitit 2025, por Qeveria e ka vonuar për miratim në Kuvend si pasojë e prioriteteve të tjera politike dhe ekonomike.
Ndërsa, ligji i gjuhëve është në duar të kushtetueses pas kontestimit të VMRO-DPMNE-së, juristëve dhe qytetarëve se ligji mundëson shqipen të jetë zyrtare në të gjithë shtetin.
MERAL ISMAILI
