Maqedoni
Mickoski: Kryeprokurori të nxjerrë lëndët nga sirtarët
26.03.2026 15:56
Në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve...

Në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, kryeministri Hristijan Mickoski tha se nga prokurori i ri publik, Nenad Saveski, pret që të nxjerrë të gjitha rastet që për vite me radhë kanë qëndruar në sirtarë dhe të bëjë analizë për të parë nëse ekziston dyshim i bazuar për krim të organizuar.
Ai theksoi se personalisht pret dhe i bën thirrje Saveskit të zbulojë të vërtetën lidhur me atë se si ish-prokurorja speciale Katica Janeva, gjatë kohës që ishte në burg, ka aktivizuar lëndë në gjyqësor, si janë zhvilluar proceset gjyqësore për një grup personash të akuzuar për terrorizëm dhe çështjen e bonuseve për prokurorët e PSP-së.
“Nga raportet e Entit Shtetëror të Revizionit mund të konkludojmë se në ato institucione është kryer krim, pse kjo nuk është hetuar nuk e di, por shpresoj që prokurori i ri publik do të bëjë analizë të detajuar. Personalisht pres edhe dy çështje që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit. Nëse nuk e zbulojmë të vërtetën për këto dy çështje, do të vazhdojmë të jetojmë në iluzion.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai i bëri thirrje publike kryeprokurorit që pa marrë parasysh për kë ka dyshime për krim, qoftë edhe anëtar i Qeverisë, të hapë hetim dhe ta çojë atë deri në fund.
“Pa marrë parasysh për cilin do që ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepër penale, duke përfshirë edhe Qeverinë aktuale të hapë hetim dhe ta kryejë deri në fund. Nuk guxon të ketë të privilegjuar.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Me 66 vota për, më 18 mars Kuvendi zgjodhi për kryeprokuror publik gjykatësin Nenad Saveski, si kandidat i vetëm i propozuar nga Qeveria.
FLORIJE KAMBERI
