Botë

Gjykata Kushtetuese hedh poshtë dekretin, 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit

26.03.2026 16:37

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë edhe 34 ditë afat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit...

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë edhe 34 ditë afat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi dekretin e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në seancën kuvendore të 5 marsit.
 
Dekreti i presidentes, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik, por nëse brenda 34 ditësh, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi automatikisht shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje.
 
Nga Lëvizja Vetëvendosje, paralajmërojnë se në ditët në vijim, do të angazhohen që të zgjidhet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet e reja, të cilat sipas partisë në pushtet janë të panevojshme. 
 
“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh.”, shkroi në rrjetet sociale shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. 
 
VV: Do të angazhohemi të zgjidhet presidenti
 
Për çështjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar takime me liderët opozitarë. Derisa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se vendimi nuk krijon epërsi për askënd, por rithekson se përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. 
 
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK-ja mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.”, thekson Abdixhiku.
 
Sipas opozitës përgjegjësia i mbetet shumicës
 
Edhe PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se e respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kanë mbetur në qëndrimin se në krye të shtetit nuk duhet të zgjidhet një kandidat i propozuar nga Vetëvendosje, por nga opozita.
 
Nga presidenca kanë thënë se presidentja Osmani e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentes. Nga kabineti i Osmanit ftojnë Kuvendin që sa më parë ta caktojë datën e seancës për zgjedhjen e Presidentit të ri të shtetit.
 
Mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani përfundon më 31 mars. 
 
GYLTENE SINANI