Botë

Intensifikohen sulmet në Lindjen e Mesme, Trampi flet për negociata, Teherani i mohon

26.03.2026 17:00

Shtetet e Bashkuara janë pranë përmbushjes së objektivave kryesore të operacionit “Furi Epike”...

Shtetet e Bashkuara janë pranë përmbushjes së objektivave kryesore të operacionit “Furi Epike”, bëjnë të ditur burime nga Shtëpia e Bardhë. Sipas vlerësimeve të mëparshme, realizimi i këtyre synimeve pritet të zgjasë nga katër deri në gjashtë javë.
 
Presidenti amerikan Donald Tramp u shpreh se Irani është i interesuar të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, por nguron ta pranojë publikisht për shkak të presioneve të brendshme. 
 
“Ne kemi zgjidhur tetë luftëra, njerëzit e harrojnë këtë. Dhe po fitojmë edhe një tjetër. Po fitojmë aq fort sa askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë në Lindjen e Mesme. Dhe ata po negociojnë dhe duan shumë të arrijnë një marrëveshje, por kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se do të vriten nga populli i tyre. Gjithashtu kanë frikë se do të vriten nga ne.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Megjithatë, kreu i diplomacisë iraniane, Abas Aragçi, tha se vendi do të vazhdojë të mbrohet dhe se aktualisht nuk ka asnjë plan për negociata. Sipas tij, nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta me ShBA-në.
 
“Deri më tani nuk ka pasur asnjë negociatë. E them me siguri se nuk kemi bisedime me kolegët tanë amerikanë. Në ditët e fundit, ata kanë dërguar mesazhe përmes vendeve të tjera mike. Por, kjo nuk mund të quhet dialog apo negociatë.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.
 
Pavarësisht pretendimeve për negociata, sulmet në terren vazhdojnë. Izraeli sulmon jugun e Libanit dhe raportohet për viktima. Gjithashtu është bombarduar edhe qyteti portrual Bandar Abas në Iran.
 
Në këtë sulm është vrarë komandanti i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Alireza Tang-siri, përgjegjësi i operacioneve strategjike ushtarake në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit së bashku me drejtues te tjerë të marinës,
 
“Ky është një mesazh i qartë për të gjithë zyrtarët e lartë të organizatës terroriste “Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike”, e cila kontrollon sot Iranin. Forcat e Mbrojtjes Izraelite do t’ju ndjekin dhe do t’ju eliminojë një nga një. Ne po vazhdojmë të veprojmë në Iran me të gjithë fuqinë deri në arritjen e objektivave të luftës.”, - u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
 
Si kundërpërgjigje për vrasjen e komandantit të Marinës, Irani ka kryer dy sulme të njëpasnjëshme hakmarrëse me raketa drejt zonave të ndryshme të Tel Avivit. Raportohet për të plagosur dhe dëme materiale.
 
Për t’i dhënë fund konfliktit, Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Iranit një plan prej 15 pikash, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me pesë kërkesa, mes të cilave përfshihen heqja e sanksioneve dhe kompensimi për dëmet e luftës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU