Maqedoni
Prokuroria Publike, Saveski nuk i komentoi pritshmëritë e Mickoskit
27.03.2026 14:45
Kryeprokurori i ri, Nenad Saveski, kategorikisht mohon të komentojë deklaratën...

Kryeprokurori i ri, Nenad Saveski, kategorikisht mohon të komentojë deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski, sa i përket pritshmërive të tij për shqyrtimin e lëndëve si 27 prilli, punën e ish-prokurores Katica Janeva.
I pyetur se çfarë do të bëjë në lidhje me zërat se ka lëndë që mbahen në sirtar, Saveski theksoi se është vetëm disa ditë në detyrë dhe se për çdo vendim publiku do të informohet me kohë.
“Jepni pak kohë, janë vetëm disa ditë. Ndër të tjera, prioritet është pjesëmarrja në seanca, plotësimi i vendeve që janë bosh dhe krijimi i kushteve për funksionim atje ku ka mungesa.”, - deklaroi kryeprokurori, Nenad Saveski.
I pyetur për guvernatorin Trajko Slaveski, kryeprokurori Saveski tha se po ndiqen zhvillimet lidhur me informacionet që kanë dalë në publik dhe se, nëse gjendet bazë për hapjen e një procedure paraprake hetimore, ajo do të ndërmerret.
“Nuk ka përjashtime, këto janë detyrime ligjore të Prokurorisë Publike. Çdo situatë vlerësohet, përfshirë edhe këtë për të cilën më pyesni. Nuk mund të mos jetë objekt analize. Nëse gjendet bazë, veprohet sipas ligjit.”, - theksoi kryeprokurori, Nenad Saveski.
Saveski më 18 mars u zgjodh në pozitën e kryeprokurorit si kandidat i vetëm i propozuar nga Qeveria.
FLORIJE KAMBERI
