Botë
Haxhiu: Seanca për presidentin, sapo të krijohen kushtet
27.03.2026 14:27
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e gatshme...

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e gatshme ta thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentes së shtetit, por pret që të krijohen kushtet për vazhdimin e saj. Ajo ka sqaruar se më 5 mars nuk e ka mbyllur seancën, por vetëm e ka ndërprerë dhe do ta thërrasë vazhdimin e saj sapo të krijohen kushtet.
“Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim. Në anën tjetër, në ditën kur ne kemi pasur përpjekje për ta zgjedhur presidentin e vendit, pra me 5 mars konkretisht, nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra, unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet. Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Kryeparlamentarja Haxhiu njëherësh fton të gjitha partitë politike që të bëjnë përpjekje maksimale për arritjen e pajtueshmërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit për çka nevojiten të paktën 80 vota.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshi kryeministrin Albin Kurti kanë shprehur gatishmëri për koordinim me partitë opozitare rreth çështjes së presidentit.
Ndërsa partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë thënë se nuk pajtohen me kandidat për president nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa janë shprehur të gatshme të marrin pjesë në procesin e konsultimeve për një president që do të propozohej nga opozita.
GYLTENE SINANI
