Maqedoni
LSDM: Filipçe prezanton masa nga programi partiak
27.03.2026 15:03
Kryesocialdemokrati Venko Filipçe ka prezantuar një sërë masash konkrete...

Kryesocialdemokrati Venko Filipçe ka prezantuar një sërë masash konkrete nga programi i LSDM-së. Fokusi kryesor mbetet përmirësimi i standardit jetësor dhe mbështetja direkte për qytetarët, pasi Filipçe kritikoi Qeverinë për inflacion, ulje të prodhimit industrial për 6.6%, profite rekorde në mes të krizës dhe mos funksionim të aparateve shtetërore.
Paketa programore midis tjerash përfshin uljen e kostos së jetesës, rritjen e pagave, si dhe 50% pensione më të larta gjatë një mandati. Filipçe premton veting deri në rrënjë, fund të kontratave mujore, punësimeve me agjenci, orar javor të punë katër ditë, si dhe stimulimin e të rinjve që të kthehen në vend.
“Që kur refuzuan që të rritet paga minimale në 600 euro, tanimë në këto kushte të reja edhe kjo është e pamjaftueshme. Do të duhet të pranohen masat tona, ulje e TVSh-së për karburantet në 5%, heqje të tatimit për produkte bazë, ulje të pagesave rrugore dhe ulje të akcizave për 4 denarë për litër karburant, pasi që vetëm kështu qytetarët vërtetë do të ndjejnë uljen e çmimeve. Qeveria u vonua, nuk nisi në kohë, zinxhiri i shtrenjtimit nisi si rezultat i mosreagimit në kohë.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe kritikon Qeverinë, Mickoski: Është logjike, e bën për vëmendje
Kryeministrit Hristijan Mickoski i duket normale që opozita të kritikojë dhe të thotë se asgjë nuk është bërë, pasi, sipas tij, komunikimin publik ua përpilon familjari i një politikani rajonal.
“Është logjike, ai është në opozitë dhe mendon se nëse kritikon dhe ofendon, do të marrë vëmendje. Me rëndësi është që ne të bëjmë punën tonë, si këto investime me dhjetëra, qindra milionë euro, shteti të shkojë para, të numërohen investimet, të ketë siguri. Kjo është ajo që më përmbush mua si kryeministër.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sa i takon zbutjes së krizës aktuale, Mickoski tha se masa vijuese do të jetë ulja e akcizave dhe marzhës, nëse vazhdon rritja e çmimeve të karburanteve në bursat botërore.
MERAL ISMAILI
