Maqedoni
Aliu prezantoi propozim-ligjin e ri për ilaçet, Aliu: Sistem i ri për punonjësit shëndetësorë
27.03.2026 15:39
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, prezantoi propozim-ligjin e ri për ilaçet...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, prezantoi propozim-ligjin e ri për ilaçet, si pjesë e reformës më të gjerë të sektorit të shëndetësisë. Ky ligj ndikon në cilësinë e trajtimit dhe sigurinë e pacientëve në vendin tonë.
Ai theksoi se propozim-ligji do të jetë i disponueshëm në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve nga e hëna e javës së ardhshme, ku qytetarët do të mund të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre.
“Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të barnave në vend dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane. Ligji ekzistues rregullon të gjitha aspektet që lidhen me barnat nga prodhimi dhe testimi i tyre deri në vendosjen në treg, kontrolli, çmimet dhe mbikëqyrja, megjithatë me kalimin e kohës dhe përmes zbatimit praktik u paraqit nevoja për një harmonizim më të thellë dhe më gjithëpërfshirës me legjislacionet evropiane.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministri Aliu njoftoi futjen e një sistemi të ri për regjistrimin e orarit të punës nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve dhe theksoi se do të merren masa ligjore kundër institucioneve dhe drejtorëve që nuk i përmbahen rregullave dhe e keqpërdorin detyrën.
“Për fat të keq edhe pse me ligj është definuar sa mund të punohet plus, nuk është situata e njejtë në terren, kemi institucione me emër dhe mbiemër në të cilën këto informata tregojnë që punojnë diku 33 për qind, diku 41 për qind, diku 26 për qind, d.m.th. përqindja është jashtë asaj që lejon ligji. Çka kemi bërë në këtë drejtim mundohemi që të krijojmë një sistem më transparent, për atë shkak e bëmë listën e pritjes që të jetë transparente.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministri Aliu potencoi se ka raste ku mjekët kontrollojnë vetëm një pacient në javë dhe mjekë të cilët kontrollojnë nga 100 pacientë në javë. Ai shtoi se do t’i monitorojnë ata dhe të krijojnë një sistem më korrekt që të reagojnë në kohë si ministri.
VLORA LATIFI TOPOJANI
