Maqedoni

Propozimi-ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, debat në komisionin amë

27.03.2026 16:15

Komisioni për sistem politik shqyrton amendamentet e propozim-ligjit...

Komisioni për sistem politik shqyrton amendamentet e propozim-ligjit për Prokurorë Publikë.
 
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, duke arsyetuar propozim-ligjin, tha se ky ligj kontribuon në përforcimin e besimit në drejtësi, si dhe përfshin procedura të qarta që zvogëlojnë mundësinë për arbitraritet dhe ndikim dhe së fundmi paraqet hap të rëndësishëm në procesin eurointegures.
 
“Me këtë ligj përfshihen reforma thelbësore në më shumë segmente. Reformohet procedura për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të prokurorëve publikë. Përfshihen kritere të qarta dhe transparente. Garantohet përvoja, profesionaliteti dhe integriteti i tyre, sipas shembullit të kritereve të parapara në Ligjin e ri të Këshillit gjyqësor. Në këtë mënyrë garantohet zgjedhje e kuadrove më cilësore. Përfshihen obligime për arsyetim të plotë dhe të argumentuar i vendimeve për zgjedhje, avancim dhe përgjegjësi disiplinore të prokurorëve.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
 
Për të ardhur në vendime cilësore, deputetja Sllavjanka Petrovska propozon që të organizohen debate publike para se procedura të hyjë në Kuvend. Rekomandimet, komentet për përmirësimin e tekstit të propozim-ligjit, grupi parlamentar i LSDM-së do t’i shpalosë në procedura të mëtutjeshme parlamentare.
 
Deputeti Malisha Stankoviq nga Partia Socialiste Maqedonase kërkon që reforma të prekë edhe në ndërgjegjen e anëtarëve të këtij organi juridik.
 
“Të organizojmë debate publike para fillimit të procedurës së përgjithshme në Kuvend dhe kështu do ta tejkalojmë problemin me dorëzimin e amendamenteve.”, - deklaroi anëtarja e Komisionit për Sistem Politik, Sllavjana Petrovska.
 
“Reforma e vërtetë në këtë sektor nuk është vetëm kur të sjellim ligj të ri reformues, por kur të bëhet reformë në ndërgjegjen e njerëzve që do të bëhen dhe janë në këtë moment anëtarë të këtij Këshilli.”, - u shpreh anëtari i Komisionit për Sistem Politik, Malisha Stankoviq. 
 
Ky ligj është pjesë e Agjendës Reformuese, ndërkaq është përgatitur duke marrë në konsideratë rekomandimet e raporteve të Komisionit Evropian dhe të GREKO-s. Propozim-ligji ka marrë mendim pozitiv edhe nga Komisioni i Venedikut, me disa rekomandime, të cilat janë përfshirë në përmbajtjen e tij.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU