Botë

Konflikti në Lindjen e Mesme, Arakçi: Izraeli ka bombarduar mbi 600 shkolla

27.03.2026 16:41

Izraeli ka kryer një seri sulmesh ajrore mbi Teheran dhe zona të tjera të Iranit...

Izraeli ka kryer një seri sulmesh ajrore mbi Teheran dhe zona të tjera të Iranit, duke vrarë dhjetëra civilë. Autoritetet izraelite paralajmërojnë se do të vazhdojnë dhe sulmet do të intensifikohen më shumë.
 
Të paktën pesë trupa të fëmijëve të vrarë u nxorën vetëm në rajonin Shahr-e-Raj, një qytezë në provincën e Teheranit, numri i të vdekurve mund të rritet, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në vendngjarje. Të gjitha vendbanimet e goditura janë civile. Ndërkohë Izraeli pretendon se shënjestron objektiva ushtarake dhe krerët e Iranit.
 
"Aktiviteti i Forcave të Mbrojtjes Izraelite në Iran kundër objektivave ushtarake dhe të sigurisë vazhdon pa u ndalur. Jemi duke ndjekur udhëheqësit e regjimit terrorist dhe komandantët e tij dhe të shkatërrojmë aftësitë e tij strategjike. Sulmet e forcave tona në Iran do të intensifikohen dhe zgjerohen në objektiva dhe fusha shtesë që ndihmojnë regjimin në ndërtimin dhe operimin e armëve kundër civilëve izraelitë. Ata do të paguajnë çmime të larta për këtë krim lufte.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz.
 
Irani mohon sulmet amerikane dhe thotë se vetëm Izraeli godet objektet civile. Ministri i Jashtëm, Abas Aragçi, kërkoi llogaridhënie për sulmin në shkollën “Shajareh Tajebeh”, ku u vranë rreth 180 fëmijë dhe për të gjitha sulmet izraelite ndaj civilëve.
 
“Më shumë se 600 shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar në të gjithë Iranin dhe më shumë se 1.000 nxënës dhe mësues janë vrarë ose plagosur. Agresorët, që me arrogancë thërrasin “pa mëshirë” dhe kërcënojnë të godasin infrastrukturën themelore të Iranit, kanë sulmuar spitale, ambulanca, punonjës shëndetësorë, shpëtimtarë të Gjysmëhënës së Kuqe, rafineri, burime uji dhe zona banimi. Modeli i shënjestrimit nga agresorët, i shoqëruar me retorikën e tyre, lë pak dyshim për qëllimin e tyre të qartë për të kryer gjenocid.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.
 
Irani kërkoi dënim ndërkombëtar për sulmet ndaj civilëve, ndërsa komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, dënoi sulmet amerikano-izraelite mbi Iranin.
 
“Në Iran, ndërsa konflikti ka përparuar, sulmet e ShBA-së dhe Izraelit kanë goditur gjithnjë e më shumë zona të dendura të banuara dhe kanë shkatërruar infrastrukturën civile. Shtëpi, objekte mjekësore, shkolla, gjykata, rrjete transporti dhe instalime energjetike janë goditur në të 31 provincat e vendit. Sipas autoriteteve iraniane, më shumë se 1.900 civilë janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë plagosur.”, - u shpreh komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
 
Presidenti amerikan Donald Tramp ka njoftuar se periudha e sulmeve ndaj objekteve energjetike iraniane është shtyrë deri më 6 prill, sipas kërkesës së qeverisë iraniane. Ai paralajmëroi gjithashtu se ShBA-ja do të jetë “makthi më i madh” për Iranin nëse nuk pranon planin e paqes. 
 
“Ata luten që të bëj marrëveshje, jo unë. Dhe çdo kush që ka parë se çfarë ndodh atje do të kuptonte pse duan të bëjnë marrëveshje. Ata janë shumë të mençur, në fakt, në një farë mënyre, dhe janë negociatorë të shkëlqyer. Unë them se janë luftëtarë të dobët, por negociatorë të shkëlqyer.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Irani ka paralajmëruar se çdo tentativë për invazion tokësor nga ShBA-ja ose Izraeli do të ishte një gabim i madh dhe ka njoftuar se është i përgatitur për çdo skenar.
 
“Fakti që Irani ka vendosur kontroll mbi të gjithë rajonin është një fitore e madhe. Jemi të përgatitur për çdo skenar, përfshirë çdo lloj operacioni tokësor. Mendoj se ky është një vend ku mund t’i mundim, dhe kjo do të ishte një nga gabimet e mëdha nëse e marrin një vendim të tillë.”, - theksoi ambasadori i Iranit në OKB, Ali Bahreini.
 
Në të njëjtën kohë, Pakistani ofron ndërmjetësim për bisedime paqeje midis ShBA-së dhe Iranit, megjithëse ende nuk ka konfirmim për vendin dhe datën e takimeve.
 
“Pa marrë parasysh kontekstin në të cilin e vendosni rolin tonë, fakti mbetet se ne synojmë paqe, synojmë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe ndërprerjen e armiqësive.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi.
 
Ndërkohë, sulmet dhe tensionet vazhdojnë në Izrael, Iran dhe Liban, ndërsa dy persona u vranë nga mbeturinat e një rakete të interceptuar në Abu Dhabi.
 
FARIJE DAUTI BAKIU