Maqedoni

BDI reagon ndaj Mickoskit për gjuhën shqipe: Respektoni rendin kushtetues të dalë nga MO

28.03.2026 14:00

BDI ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit Hristijan Mickoski...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit Hristijan Mickoski, të bërë disa ditë më parë në Kuvend, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe. Nga BDI vlerësojnë se kjo deklaratë përbën një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Sipas tyre, pretendimi i Mickoskit se gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, por se gjuhë zyrtare është vetëm maqedonishtja, paraqet rikthim në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991 dhe injorim të Amendamentit V të vitit 2001. Ata i bëjnë thirrje Kryeministrit që të tërhiqet nga kjo retorikë dhe të respektojë plotësisht rendin kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit
 
“Ky qëndrim cënon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk është kompromis simbolik, por arkitekturë reale e bashkëjetesës dhe e balancës ndëretnike në vend. Relativizimi i statusit të gjuhës shqipe nuk është çështje interpretimi, por hapje e një rruge të rrezikshme që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe funksionalitetin e demokracisë sonë multietnike.”, thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
Deklarata e Mickoskit erdhi në kuadër të diskutimeve në Kuvend, ku ai theksoi se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare dhe për përdorim ndërkombëtar, ndërsa shtoi se nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe në përputhje me Kushtetutën, duke u shprehur edhe si mbështetës i mësimit të saj.
 
“Unë nuk kam asgjë kundër, e as dikush në sallë ka kundër gjuhës shqipe, por duhet të dihet se gjuhë zyrtare në këtë shtet është gjuha maqedonase dhe shkrimi kirilic. Edhe për përdorim ndërkombëtarë është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Kështu është sipas kushtetutës, nëse e lexojmë drejtë.”,  u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Ligji për përdorimin e gjuhëve që nga viti 2018 mbetet në pritje të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese pas disa iniciativave që kontestojnë kushtetueshmërinë e tij.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI